Lukas Hernandez ka zgjedhur shokun e skuadrës te Franca, Karim Benzemanë, si fituesin e padiskutueshëm të “Topit të Artë” 2022.
Sulmuesi i Realit është favorit për të fituar çmimin më të rëndësishëm individual në futboll. I pyetur nga grumbullimi me kombëtaren kampione bote, mbrojtësi i Bajernit të Mynihut tha në lidhje me këtë temë:
“Ai e ka ngritur kupën me veshë të mëdha pesë herë. Është e pabesueshme. Ai është një legjendë te Reali, por edhe këtu në Francë. ‘Topi i Artë?’ Mendoj se nuk ka dyshime për këtë”.
Sulmuesi 34- vjeçar bëri një sezon të shkëlqyer në Madrid, ku ai shënoi 44 gola në 46 ndeshje në të gjitha kompeticionet me klubin dhe Reali fitoi Ligën e Kampioneve dhe titullin kampion në Spanjë.
Ish-talenti i Lionit shënoi gola vendimtar për skuadrën, përfshirë tripletat kundër PSG-së në 1/8-at dhe Çelsit në çerekfinale, por ai ishte vendimtar edhe n ë gjysmë finalen kundër Mançester Sitit.
Benzema e mbylli sezonin në Ligën e Kampioneve me 15 gola në 12 ndeshje.
Ai nuk është renditur kurrë mes tre finalistëve për të fituar “Topin e Artë”. Vitin e shkuar u rendit i katërti pas Mesit, Levandovskit dhe Zhorzhinjos.
Nëse francezi do të votohet si më i miri këtë vit, ai do të bëhej futbollisti i parë nga ky vend që prej Zinedin Zidanit në vitin 1998, i cili do të fitonte “Topin e Artë”.
Franca luan kundër Kroacisë sot në Ligën e Kombeve, ndërsa trajneri Didie Deshamp konfirmoi se kapiten do të jetë mbrojtësi i PSG-së, Kimpembe. Aktivizimi i Mbapesë pas dëmtimit të premten me Danimarkën mbetet në dyshim.
Arena e Lajmit

Loading…