SPECIALE/ Dënimet nga sistemi pas arrestimeve të lojtarëve të Shqipërisë për vjedhje, kujtimet e Birçes: Na goditën në grup (Pjesa II)

SPECIALE NGA KRISTI SEJATLLARI
Në librin monografik që ish-mjeku i Kombëtares, Lluka Heqimi, ka shkruar për ish-trajnerin e kuqezinjve, Bejkush Birçe, ka zënë vend edhe ngjarja e paprecedentë e majit të 1990—ës, si pjesë e udhëtimit për në Islandë. Rrëfimi i ish-trajnerit Birçe për incidentin në aeroportin e Hithrout, ku u ndaluan tetë futbollistë që u kapën në flagrancë duke përvetësuar sende të ndryshme, gazeta e sjell në dy botime.

Lluka Heqimi, Astrit Hafizi, Bejkush Birçe dhe Neptun Bajko në stacionin e policisë të aeroportit të Hithrou

Lluka Heqimi, Astrit Hafizi, Bejkush Birçe dhe Neptun Bajko në stacionin e policisë të aeroportit të Hithrou

Në numrin e shkuar udhëtimi, ngjarja e shëmtuar në aeroportin e Londrës, ndalimi dhe shoqërimi i fajtorëve në polici, negociatat dhe prapaskenat e lirimit dhe vazhdimi i udhëtimit drejt Islandës. Ndërsa në numrin e sotëm “Panorama Sport” ju sjell kujtimet e trajnerit Birçe që kanë të bëjnë me zbarkimin në Islandë që ishte transferta më e largët për atë, zhvillimin e ndeshjes dhe kthimi në atdhe. Pa dyshim në Shqipëri i pritet dita e gjyqit, pasi duke ditur se ishte ende në fuqi sistemi komunist, delegacioni kishte shkelur vijën e Partisë dhe njollosur imazhin e vendit. Birçe tregon gjithë presionin që përjetoi delegacioni pas kthimit dhe masat që u morën ndaj tyre. Ja rrëfimi në vazhdim i trajnerit Birçe, pasqyruar në monografinë e shkruar nga ish-mjeku i Kombëtares, Lluka Heqimi:

REIKJAVIK, ISLANDË-SHQIPËRI 2-0,
30 MAJ 1990, NETËT E BARDHA
“Islanda është një ishull nordik vullkanik, me shumë ujëra të ngrohta termale dhe fusha të gjera lave me ngjyrë gati të zezë. Gajzeret masive në Vatnajokull dhe Snaefellejokull janë parqe kombëtare që u vizituan dhe nga ekipet tona përfaqësuese. Pas ndodhisë së Londrës, të gjithë sportistët u lanë në këto ujëra termale dhe i lanë të gjitha të këqijat në këtë park madhështor. Islanda është 103.000 km2 , me një popullsi afërsisht 338.000 banorë ku 89% janë islandezë dhe 5% polakë. Pjesa tjetër është me një popullsi të ndryshme. Sot atje banojnë edhe shqiptarë. Ky vend ka dhe një nobelist në letërsi në vitin 1955, Halldor Laxness. Nuk kam udhëtuar më larg me avion, me shqetësime jo vetëm futbolli, por me çudira të tjera. Përshtypjet e mira të para ishin shumë larg realitetit. Atje, në këtë vend të ftohtë pashë ‘ngrohtësinë’ e punëve të shumta që kjo popullsi bënte për të jetuar mirë. Pas ngjarjes së shëmtuar të Londrës ne erdhëm në një vend që ishte dezinfektuar nga veset para 100 vitesh. Ata festonin mosvjedhjen për 1 shekull.

Në atë kohë përveç netëve të bardha që i shijoja për herë të tretë pas Leningradit, unë pashë dhe ndjeva nga afër një popull që nderonte detin dhe përfitimet prej tij, një popull që e donte shumë presidentin e vet, që mendonte dhe vriste mendjen se kush ishte më e mira për të gjithë ata. Ikona e tyre ishte peshku, të cilin e kishin pasqyruar në të gjitha lekët e marrëdhënieve tregtare. Islanda do të ngelet për mua një kujtim i madh në të gjitha aspektet. Vendi kishte ‘mbjellë’ të gjithë lojtarët e vet në fusha prestigjioze të Danimarkës, Norvegjisë, Anglisë dhe Belgjikës. Çuditesha se si një vend kaq i vogël në popullsi, i ftohtë akull, kishte kaq shumë lojtarë të mëdhenj. Me sa kujtoj, këtu kishte edhe nobelistë në letërsi. Në krahasimet që mund të bëj, midis atyre dhe lojtarëve tanë, ishte e lehtë të kuptoje se sa pak përvojë futbolli kishim ne. Kjo kishte të bënte me mënyrën kapitaliste të të menduarit, ku baza kryesore ishte fitimi dhe përpjekjet për t’i arritur ato. Këtë ndeshje e pa edhe Platinia, me të cilin kishim ndeshjen e radhës. Futbollistët tanë e takuan dhe folën me të. Kishte qenë një nga lojtarët më të mëdhenj të botës, por që përgatitej të ishte po kështu edhe një trajner i madh”.

MIRË SE ERDHËT NË REIKJAVIK
“Kur zbritëm në aeroportin ushtarak të Keflavikut, dikush më thotë se kanë dalë të na presin me lule. Unë i habitur shikoj nga dritarja dhe me të vërtetë avionit që sapo kishte ndaluar, po i afroheshin disa burra me një buqetë me të vërtetë të madhe me lule. Si është e mundur të ndodhë kjo, thashë me vete! Zbritëm dhe njëri nga drejtuesit e Federatës Islandeze, mundet presidenti, na lëshoi fjalën mjekuese të asaj që kishim kaluar. -Londra është atje. Mirë se erdhët në Reikjavik. Unë mora lulet, por nuk mund t’i mbaja dhe ia dhashë dikujt. Vetëm në këtë rast nuk më shkonin lulet. Isha i pikëlluar, megjithëse nuk jepesha. Pas ndeshjes ata na shëtitën dhe na çuan në gajzeret e famshme dhe serat e mbushura me banane. Në Islandë kishin filluar netët e bardha, diçka edhe ato për të na zbardhur nga cipa e zezë që na kishte rënë të gjithëve”.

NDESHJA
“Në këtë betejë-ndeshje isha me Strakoshën, Jerën, Nogën, Iliadhin, A.Lekbellon, Vatën, Koven, Josën, Millon, Demollarin, Kushtën, Abazin, Shehun dhe Arbërin. Demollari arrin një rekord të madh. Ai bëhet këtu kapiteni i përfaqësueses së të rriturve në një kohë që ka pasur këtë pozicion me paratërinjtë, të rinjtë dhe me Shpresën. Demollari bëhet kapiten i të gjitha skuadrave përfaqësuese të futbollit, ndërsa Vata dhe Strakosha për herë të parë, i besoi Kombëtarja. Fitoi kështu dy lojtarë: portierin Foto Strakosha, të cilin e kisha zgjedhur vet në ‘fushat e thata’ të Memaliajt dhe kapitenin e shumë ndeshjeve të përfaqësueses, Rudi Vatën, të dalë nga shkolla e mjeshtërisë. Luajta ndeshjen e 91-të të ekipit përfaqësues në një kohë që kundërshtarët zhvillonin të 200-ën. E kisha menduar një ndeshje të fortë, aq më tepër që lojtarët tanë ishin izoluar 24 orë. Pritej një katastrofë, por nuk ndodhi fare kështu. Sportistët dinë të dalin nga fundi i errët. Në Reikjavik ndeshjen e humbën për 2 papërqendrime që erdhën në dy fundet e lojës në minutat 43 dhe 87. Disa gazetarë këtë do ta shpjegonin sipas mënyrës së vet, se kishim të bënim me lodhjen fizike nga mospërgatitja. Jo, kjo nuk është e vërtetë. Skuadrat tona humbin përqendrimin në fundet e ndeshjeve”.

WhatsApp Image 2022-06-06 at 6.01.09 PM (1) (1)

PRITJA NË SHQIPËRI
“Në Shqipëri na priste kulmi i mungesës së arsyes. Do të ndodheshim përpara një vale goditëse, që në fund të fundit, do të luante një rol tensioni dhe frike për të gjithë. Shumë kolegë, që nuk ishin përfshirë në këtë skandal, me sa kuptova nga diskutimet e tyre në atë mbledhje të jashtëzakonshme në zyrat e kryetarit, mbajtën një qëndrim jo shumë korrekt. Megjithëse flisnin në emër të moralit dhe të përgjegjësive shtetërore, në subkoshiencë ata kishin diçka ndryshe. Me një mungesë të arsyetimit dhe me politika të zbrazëta diktuese, u arrit të mos zbërthehej ajo ‘sëmundje’ që i ndodhi futbollit në Hithrou e që kishte lidhje direkt me jetën tonë në përgjithësi dhe sportin në veçanti. Të analizoje këtë sëmundje do të thoshte të merresh me vetë strukturën e sistemit, ligjet, dietat mikroskopike, odisenë e vuajtjeve të udhëtimit. Lojtarët tanë treguan me gabimet që bënë në një ‘Duty Free Shop’ të aeroportit, se shoqëria shqiptare i kishte bërë të gjithë robër të dhuratave në një kohë që merrnin nga kjo rrugë e largët disa dollarë. Vetëm një lojtar kishte marrë disa bizhuteri të shtrenjta, ndërsa të tjerët, përvetësuan medaljonë dhe kinkaleri të këtij lloji dhe të gjithë nuk e kalonin shumën e 2000 dollarëve amerikanë.

Kjo ishte shoqëria shqiptare në atë kohë aspak materiale. Një shoqëri që në të shumtën e herëve, të thoshte faleminderit që më kujtove edhe me një diçka të vogël. Futbolli, si pa e kuptuar, mori një goditje shumë të fortë nga kjo ‘trimëri e çmendur’. Thellë në shpirt të gjithë ne të rriturit që drejtonim ekipin arritëm të kuptonin se kush vjedh vezën mund të vjedhë edhe pulën. Pavarësisht që kjo nuk ishte vepër e shumicës, të gjithë u përlyem me njollën e turpit. Arsyetimi i shtetit përfaqësonte një sjellje edhe më të shëmtuar. Njerëzit që ishin caktuar të na gjykonin, nuk mund të them se ishin larg sjelljes së këtyre pak sportistëve. Ata ndoshta nuk dinin të kryenin gjeste të tilla, por dinin të vidhnin dinjitetin njerëzor me atë shprehjen e tyre, që ne nuk kemi qenë në gjendje t’i edukonim sportistët me frymën e partisë. Ky lloj të gjykuari partiak ishte mjaft i dëmshëm dhe aspak edukues.

Është interesante të themi se i fundit nga grupi ynë u fal mjeku, i cili bëri një punë rraskapitëse dhe të parët ata që kishin lyer duart dhe kishin kryer aktin e shëmtuar. Kjo mënyrë sjelljeje vinte nga tifozëria që e kishte selinë edhe në përfaqësitë tona më të larta shtetërore dhe partiake në Ministrira dhe Komitetin Qendror. Sekretarët e parë të partisë, që me sa më kujtohet në atë kohë u caktuan 4 persona, ishin disa ‘çunakër’ që me këtë emërtesë, u dukej se kishin kapur qiellin me dorë. ‘Fatkeqësisht ishin vënë të punonin në këto poste të larta partiake, në momentet më të fundit të gramës së qëndrueshmërisë së shtetit njëpartiak. Ata vepronin ashtu siç kishin vepruar më parë paraardhësit, me atë frymë dhe me atë stil, megjithëse kohët kishin ndryshuar. Ata e shihnin funksionin e tyre si diçka shabllone që duhej mbajtur e shtrënguar fort me slogane të parafabrikuara. Koha i kishte bërë notarë të mirë në këtë ‘ujë të ndotur’ dhe nuk bënin asnjë përpjekje të dilnin prej tyre e të arsyetonin ndryshe.

Disa nga ne të stafit u ankuan nga ky dënim grupi, por ata kishin vetëm një shpjegim: Ju nuk keni ditur të ruani dhe të edukoni futbollistët. Na turpëruat shtetin. Ata kishin harruar se gjithsecili varej nga veprimet individuale. Dietat e dobëta shtrëngimet doganore, përbuzjet në kalimet kufitare, kontrollet e teshave të brendshme intime edhe të palara, tregonin një mosbesim edhe kur në gjoks mbahej stema e Republikës. Nuk më harrohet besnikëria e doganierëve për të kryer detyrat në kufi dhe kjo jo se bëhej me ndërgjegje, por brenda kësaj pune si detyrë kishte një frikë të përgjithshme partie dhe një inat vetjak se askush nuk mund t’ua hidhte atyre njerëzve. Kjo ishte situata e përhershme jona dhe më e theksuar në kohën që mora ekipin përfaqësues.

Se fundi dua të them që ne u zëvendësuam si jo të denjë që nuk kemi ditur të edukojmë. M’u kujtuan disa rreshta që kisha lexuar nga historia e Sokratit. Pas atij keqtrajtimi, torturimi që i bën Sokratit, dikush e pyeti: Mjeshtër, a nuk e ndjeve veten të fyer nga ata që të kanë sharë? Jo aspak, – iu përgjigj Sokrati, sepse ato që kanë thënë nuk kanë të bëjnë me mua. Në vendin tim, në postin e trajnerit të përfaqësueses, vjen trajneri më i ri, jo vetëm i kampionatit shqiptar, por edhe i vetë ekipit përfaqësues, i pamësuar me përvoja të egra e jo të zakonshme. Ai do të jetë Agron Sulaj, i cili do të zhvillojë 3 ndeshje të humbura kundër Greqisë në Patras 1-0, kundër Francës në Tiranë 0-1 dhe kundër Spanjës një ndeshje e humbur 9-0 që do të ishte edhe fundi i karrierës së tij me Kombëtaren. Agroni ishte një djalë i ri, lojtar i Shkëndisë, i Vlorës, i përfaqësueses me një përvojë si trajner i Flamurtarit që erdhi pas meje, i shkolluar me ato bursat e rralla që jepeshin në atë kohë në Koverçiano. Ai kishte dëshirë për futbollin që ta çonte përpara, madje shkroi edhe libra për të cilët kishim nevojë. Agroni ndërroi jetë në moshë të re dhe kjo ishte humbje e madhe për familjen dhe ne”…

Vijon me pjesën III nesër, më datë 07.06.2022, në versionin print të “Panorama Sport”

Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i paautorizuar i shkrimit në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të “Panorama Sport”

LEXO EDHE: 

SPECIALE/ Si u arrestuan futbollistët e Kombëtares para Islandës, kujtimet e Birçes: 8 vetë i kapën në flagrancë. Morën xhingla dhe dorovi për nusen


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×