Alesandro Bastoni kishte pohuar se nuk kishte ndër mend ta linte Interin dhe planifikonte të qëndronte gjatë me këtë skuadër. Por pavarësisht ndjenjave të tij për zikaltrit, këta të fundit nuk i janë përgjigjur në të njëjtën mënyrë mbrojtësit.
Në organikën e milanezëve nuk ka ende një lojtar që të konsiderohet i pashitshëm, sepse arkat e klubit kanë nevojë për para dhe ofertat do të merren në konsideratë, mbi të gjithë për lojtarët kryesorë të skuadrës, vlera e kartonit të të cilëve është e lartë.
Në dijeni të këtij fakti, edhe Bastoni është dorëzuar, të paktën këtë ka lënë të kuptohet deklarata e agjentit të tij, Tulio Tinti.
“Alesandro është tifoz i padiskutueshëm i skuadrës ku luan dhe vullneti i tij është patjetër të qëndrojë tek Interi. Është shumë i lumtur, e ka fanellën në lëkurë. Gjithsesi, ngelet një profesionist, futbolli është i tillë dhe duhet të përshtatet”, kanë qenë fjalët e Tintit, një sinjal i qartë se Bastoni nuk ka ndër mend t’u bëjë ballë i vetëm tundimeve të merkatos, aq më tepër nëse do të jetë Interi ai që dëshiron ta largojë.
E kur Totenhemi është gjithmonë e më pranë, zikaltrit duan të përfitojnë në maksimum, duke e dërguar në 70 milionë euro vlerën e tij, një shifër që me rikthimin në Champions League anglezët nuk do ta kishin problem.
TIFOZËT – Ndërkohë që drejtuesit zikaltër janë duke fërkuar duart nga të ardhurat që mund të sjellë 23-vjeçari, rehatia e tyre ka filluar të prishet, pasi në rrjetet sociale ka shpërthyer revolta e tifozëve.
Të frikësuar nga shitja e mundshme e idhujve të tyre, e mbi të gjitha e Bastonit që konsiderohet një nga simbolet e Interit, postimet e zikaltërve janë shoqëruar të gjitha me togfjalëshin #Sunningout (Suning jashtë) dhe fjalët mbështetëse për Bastonin, si:
“Bastoni nuk preket”, “Bastoni e ka fanellën në lëkurë”, “Mbajini larg duart nga Bastoni”.
Tifozët kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen dhe kanë kërkuar nga pronësia kineze të investojë seriozisht për të mbajtur Interin konkurrues ose të heqë dorë nga drejtimi i tij duke synuar blerës që i shkojnë për shtat emrit dhe historisë së klubit.
Përgatiti: NISLI GJINI

Loading…