EKSKLUZIVE/ Kërkohet ngjitja në Superiore, skuadra e Kategorisë së Parë nis bisedimet me Ndreun dhe Mërgjyshin për stolin

U bënë dy javë që pankina e Tërbunit ka mbetur bosh.

Dane Ndreu

Me mbylljen e sezonit 2021-2022, Elvin Beqirit i “skadoi” kontrata. Edhe pse u ul me kryebashkiakun për të negociuar, vend për rinovim nuk kishte.

Ishte Gjon Gjonaj që konfirmoi “divorcin” përfundimtar të shkodranit gjatë një deklarate që dha më 25 maj enkas për “Panorama Sport”.

Numri një i Bashkisë Pukë dhe njëherësh president, prej ditësh është angazhuar për të gjetur “timonierin” për edicionin e ardhshëm.

Të shumtë janë kandidatët, por kreu i klubit ka vendosur një kusht të panegociueshëm: kërkon një ekspert për stolin.

Trajneri i ri duhet të ketë përvojë në elitë dhe ndaj rrethi është ngushtuar.

MERGJYSHI

Momentalisht janë në “pole” vetëm dy emra, Ramazan Ndreu dhe Artan Mërgjyshi.

I pari për herë të fundit ka drejtuar Kastriotin që militonte në “Abissnet Superiore”, ndërsa i dyti Korabin, që iu afrua aq shumë ngjitjes (ndonëse dibranët e hoqën dy javë para fundit të krejt garës).

Me të dy janë zhvilluar bisedime të avancuara, por ende nuk mund të flitet për akord.

Nëse për krutanin nuk dihet nëse ka ndonjë opsion tjetër veç Tërbunit, për tiranasin situata është ndryshe. Jo më larg se pak ditë më parë, gazeta zbuloi se ai ishte takuar me presidentin e Apolonisë.

Koço Kokëdhima dëshiron që ta kthejë në stol, pasi edhe në Fier nuk kanë zyrtarisht një “timonier”. Ajo që mund të “joshë” trajnerët në fjalë te Tërbuni, është fakti që stërvitjet i zhvillojnë në kryeqytet.

Skuadra udhëton në Pukë vetëm për ndeshje dhe ky detaj mund të bindë si Ndreun dhe Mërgjyshin për të shkuar drejt një marrëveshjeje me pukjanët.

Klubi nuk ka në plan që të kursehet as këtë vit në merkato dhe do të ndërtojë ekip me pretendime, ashtu si kampionatin e fundit.

Qëllimi është që të ruhet baza e ekipit dhe bëhen disa përforcime cilësore, kryesisht në sulm (repart që ka çaluar).

Por merkatoja do të nisë vetëm pasi të zgjidhet trajneri i ri dhe gjasat janë që brenda muajit qershor ta kenë gjetur pasuesin e Elvin Beqirit.

DITMIR PEMA – Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×