Shqipëria provoi të bënte maksimumin kundër Rumanisë në takimin e dytë në grup për Kampionatin Europian të minifutbollit amator që po mbahet në Sllovaki.
Por kuqezinjtë nuk arritën që të dilnin me pikë nga kjo përballje, pasi luanin ndaj rekordmenëve të Europianit. Siç dihet, Rumania është skuadra me më shumë tituj kampion në këtë kompeticion, me plot 6 suksese.
Vështirësitë e hasura në këtë sfidë i pranojnë edhe vetë lojtarët e Kombëtares sonë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Erald Leci e komenton kështu përballjen me rumunët.
“Ishte shumë vështirë, pasi luanim kundër një ekipi me kualitet të lartë. Jo më kot janë gjashtë herë fitues në Europian, si dhe pretendentët numër një për të triumfuar edhe në këtë edicion”, shprehet fillimisht Leci.
Më tej sulmuesi i Kombëtares kuqezi flet për Azerbajxhanin, që është edhe kundërshtari i radhës, me të cilin Shqipëria do të luajë sot të gjitha shanset për kualifikimin në raundin tjetër.
“Edhe Azerbajxhani mbetet një ekip shumë i fortë, i përbërë nga lojtarë futsalli. Këtë e tregoi edhe në ndeshjen e sotme (djeshme) kundër Spanjës, të cilën e fitoi 5-1”, thotë Leci. Megjithatë, 30-vjeçari beson te fitorja ndaj azerëve.
“Sigurisht që i kemi mundësitë për të fituar kundër Azerbajxhanit dhe një sukses ndaj tyre jo vetëm që do të na kualifikonte, por do të na dërgonte në vendin e dytë në grup”, përfundon prononcimin e tij Erald Leci, i cili ka marrë pjesë gjatë viteve të fundit në disa turne të ndryshëm ndërkombëtarë në minifutbollin amator.
Arena e Lajmit

Loading…