EKSKLUZIVE/ Plas te Dinamo! Rënia në Kategorinë e Parë nuk mjafton, klubi dënon titullarët. I dërgon tek…

Dinamo “dënon” titullarët, i dërgon tek U-21. Që situata do të merrte një rrjedhë të çuditshme, u kuptua që kur u prezantua aksioneri Kristian Gjidodaj.

DINAMO

Drejtuesit vendosën që skuadra të stërvitet deri më 15 qershor dhe kështu po ndodh. Një “manovër” kjo për të irrituar lojtarët dhe për t’i shtyrë që të kërkojnë vetë prishjen e njëanshme të kontratës.

Por ata nuk kanë reaguar, madje kanë vazhduar të zbarkojnë normalisht në fushë.

“DËNIMI” – Së fundi, kryeqytetasit kanë bërë një tjetër lëvizje. Kanë çuar disa prej titullarëve të luajnë me skuadrën U-21, që dje kishin ndeshjen e fundit kundër Laçit.

Agim Ibraimi, Besir Demiri, Lansinet Sidibe, Aleksandër Sofranak dhe Eni Imami ishin njoftuar që të shkonin në Kamzë dhe të ishin në dispozicion.

Vetëm Imami ka munguar, në fakt, pasi kishte marrë leje për arsye personale, ndërsa të tjerët janë paraqitur sipas direktivave të klubit.

Nëse Ibraimi, Demiri dhe Sidibe kanë më shumë se një pjesë loje, Sofranak  “shpëtoi” prej rregullores.

Jo më shumë se tre lejohen që të luajnë mbi moshën 21-vjeçare dhe rrjedhimisht as nga stoli nuk mund të aktivizoheshin.

Blutë kanë fituar në shifrat 2-1 dhe një nga golat e ka bërë pikërisht kapiteni.

Në minutën e 29-të ai ka gjetur rrjetën, nga gati 30 metra distancë.

Nuk është e vështirë të kuptohet se e gjitha kjo ndodh për të shkaktuar mërzitje dhe irritim në radhët e futbollistëve të aktivizuar titullarë gjatë sezonit, ku Dinamo nuk mundi të mbijetonte.

Megjithatë, duket e vështirë që situata të zhbllokohet në këtë mënyrë.

Të paktën deri tani kjo metodë nuk ka dhënë rezultat, përkundrazi ka shtuar inatin e lojtarëve për t’i qëndruar kontratës së firmosur verën e kaluar.

PAGAT – Gazeta ka mësuar nga burime pranë saj se futbollistët janë gati të mbyllin marrëveshjen me Dinamon, nëse marrin dy paga mujore.

Në anën tjetër, me sa duket, klubi nuk dëshiron të japë më asgjë në aspektin financiar dhe këtu krijohet një ngërç, që ndoshta do të shkojë drejt zgjidhjes në rrugë ligjore. Për momentin, vazhdon mundja e dorës.

Secila palë qëndron në “llogoren” e vet. Me negociatat e deritanishme nuk ka asnjë akord dhe mbetet të shihet se sa do të zgjatë kjo situatë.

Nuk do të ishte aspak çudi që Dinamo ta vazhdojë stërvitjen deri në fund të muajit, sikur të merrte pjesë në Kupat e Europës…

FATJON RUPI – Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×