Te Kastrioti nuk kanë konfirmuar ende planin që kanë për sezonin e ri 2022-2023.
Trajneri Emiljano Çela ka paraqitur kërkesat e tij për vazhdimësinë, ndërsa tashmë “topi” është te drejtuesit e klubit.
Dilemat janë të mëdha për përbërjen e skuadrës, pasi disa prej lojtarëve u përfundon kontrata dhe duhet të ulen me klubin për të negociuar rinovimin.
Synimi i drejtuesve është të ruajnë grupin dhe të përforcojnë skuadrën me elementë cilësorë, pikërisht në pozicionet ku Çela ka kërkuar afrime.
Ndërkohë, të pashmangshme në këtë periudhë janë edhe largimet nga skuadra.
Përveç të huajve Kaina, Okebugu dhe Zetuna, së fundmi është lakuar për një “divorc” të mundshëm edhe mesfushori Edon Hasani, i cili ka oferta nga jashtë vendit.
Mirëpo, pas një sezoni pozitiv me krutanët, edhe kapiteni Sokol Neziri ka mundësi të largohet nga skuadra e vendlindjes.
Mbrojtësi i djathtë luan prej afro një dekade me fanellën e Kastriotit, duke qenë futbollisti më besnik i ekipit, qoftë kur ka marrë pjesë në Kategorinë e Parë, ashtu edhe tani në Superiore.
Nga sa mësohet, për 25-vjeçarin ka pasur interesim në ditët e fundit nga klubi i Kukësit dhe gjithashtu nga Prishtina në Kosovë.
Prej tetë sezonesh radhazi ai numëron 138 ndeshje të luajtura me krutanët.
Për Nezirin ky mund të jetë viti i duhur për të provuar një aventurë të re. Mësohet se bisedimet mes lojtarit dhe klubeve të interesuara janë në fazën fillestare, por gjithsesi fillimisht mbrojtësi do të bisedojë me drejtuesit e Kastriotit e më pas do të vendosë të ardhmen.
Arena e Lajmit

Loading…