Aristoteles Romero arriti para disa ditësh akordin me Partizanin dhe do të rikthehet në kryeqytet pas dy vitesh. Mesfushori nga Venezuela ka rënë dakord për të marrë një pagë prej 3 mijë eurosh në muaj, shifër shumëfish më e ulët se ajo që merrte në aventurën e shkuar te Partizani, kur paguhej gjithsej 16 mijë euro, 8 prej të cilave i paguante Partizani dhe pjesën tjetër Krotone, nga ku kishte ardhur si i huazuar.
Tashmë ai vjen te Partizani si lojtar i lirë, pas përfundimit të aventurës me Deportivo Lara në atdheun e tij. Pozicioni i preferuar i Romeros është mesfushor difensiv dhe do të duhet të luftojë me emra si Matondo, Murataj apo Herald Marku për një vend në formacion. Ai pritet të bashkohet menjëherë me ekipin më datë 11, për të nisur përgatitjet për ndeshjet kualifikuese të Ligës së Konferencës.
E SHKUARA – Romero shquhet për grintën e madhe në lojë, por edhe për personalitetin e veçantë jashtë fushës. Gjatë qëndrimit të tij te Partizani, Romero kaloi një kohë të konsiderueshme në ekipin e dytë për shkak të sjelljes së tij jokorrekte, përveç formës së dobët sportive. Më shumë se për lojërat e tij në fushë, Romero mbahet mend edhe për shoqërimin nga policia për shkak të një sherri me të dashurën e tij gjatë kohës së pandemisë. Gjithashtu, banorët e pallatit ku ai jetonte, ankoheshin vazhdimisht për zhurmat dhe sjelljen aspak qytetare të venezuelianit.
MARRËVESHJA – Te Partizani e njohin shumë mirë këtë pjesë të personalitetit të Romeros dhe kanë marrë masa paraprake për të mos u përsëritur edhe një herë të njëjtat situata. Ata kanë hartuar rregulla strikte dhe i kanë shkruar në kontratë, ku në rast të sjelljeve jo të duhura, do të ketë sanksione për mesfushorin. Paralajmërimi ka qenë gjithashtu verbal, ku i është bërë e qartë se nuk do të ketë paralajmërime të fundit, por direkt sanksione.
Romero nga ana e tij ka lënë të kuptohet qartë se koha kur futbolli nuk ishte në plan të parë, ka mbaruar. Ai është shprehur se “absolutisht që nuk do të gabojë më, madje do të marrë me vete edhe mamanë e tij në Tiranë”. Pas kësaj deklarate, presim një Romero ndryshe.
DENIS LALA – Arena e Lajmit

Loading…