Ivan Xhenaro Gatuzo është prezantuar sot zyrtarisht si trajneri i Valencias. Por fjalët e tij të para si tekniku i skuadrës, kanë qenë të papritura për shumë tifozë. Gatuzo ka bërë të qartë se kërkonte futbollistë që jepnin gjithçka për klubin, por ndoshta nuk ka zgjedhur fjalët e duhura.
“Në takimin me presidentin Lim nuk kemi folur për emra të veçantë, por për parimet bazë të lojës. Mbi të gjitha që dëshirojmë lojtarë që kanë dëshirë, që kanë zjarrin brenda dhe unë insistoj shumë te zjarri. Lojtarë të cilët mendojnë se të luash të Valencia është si të jesh te Barcelona apo Real Madrid. Lojtarë që të transmetojnë jetë. Do të më pëlqente të punoja me futbollistë që kanë dështuar, thuajse me një profil humbësi, por të cilët besojnë në këtë ekip”, ishin fjalët e Gatuzos para mediave, që kanë lënë shumëkënd të çuditur.
Megjithatë, trajneri ka pranuar se ka një ide të qartë të asaj që e pret, pasi kishte një muaj e gjysmë që ndiqte ekipin dhe kishte parë të gjithë sfidat e fundit. “Ka shumë të rinj me talent, interesantë, ashtu siç është ekipi në tërësi. Është një ekip me cilësi, me mundësi të madhe përmirësimi dhe që mendoj se mund të arrijë rezultate”, tha Gatuzo para gazetarëve.
Arena e Lajmit

Loading…