Erling Haland u zyrtarizua si transferimi i merkatos së kësaj vere te Mançester Siti që në 10 maj, por prezantimi i sulmuesit norvegjez në “Etihad” nuk është bërë ende. Arsyet e kësaj vonese mundohet t’i shpjegojë “The Athletic”.
Ata argumentojnë se fillimisht marrëveshja hyn në fuqi më datë 1 korrik dhe klubi ka ndërmend që ta prezantojë lojtarin përpara tifozëve.
Ata kanë rezervuar një prezantim special të ngjashëm me atë të lojtarit më të shtrenjtë të historisë së futbollit në Britani, Xhek Grilish verën e shkuar.
Për më tepër, sulmuesi 21-vjeçar është i përqendruar në detyrimet e tij me kombëtaren e Norvegjisë në Ligën e Kombeve në këtë moment.
Ndërkohë që gjatë kësaj periudhe pritet të zgjidhet edhe e ardhmja e Gabriel Zhezusit.
Sulmuesi brazilian nuk do të ketë më shumë hapësira me ardhjen e Halandit dhe me largimin e tij pritet t’i lëshojë fanellën me numrin 9.
Për marketingun do të ishte më mirë që njeriu për të cilin kampionët e Anglisë paguan fillimisht 51 milionë paund për kartonin te Dortmundi, të prezantohej me numrin e stampuar në fanellë.
Të gjitha këto janë arsyet përse “Qytetarët” nuk e kanë bërë ende prezantimin e blerjes së tyre më të bujshme të kësaj vere.
Arena e Lajmit

Loading…