Romelu Lukaku vazhdon këmbënguljen e tij për t’u rikthyer në Milano dhe nuk ka ndërmend të ndalet pa e arritur qëllimin e tij. Shumë pak, për të mos thënë aspak, është në dorën e belgut me Çelsin që pas takimit të trajnerit Tomas Tuhel me pronarin e ri Tod Behli, i cili ia ka bërë të qartë sulmuesit se nuk do të ketë një huazim të thjeshtë për të. Anglezët po tentojnë shkëmbimin e sulmuesit me dikë prej organikës së Interit që vlerësohet nga trajneri gjerman, por ndërkohë që emrat fillestarë të cilët filtruan ishin Lautaro, Bastoni e Shkriniar, është dikush tjetër që ka marrë vëmendjen e bluve.
Denzel Dumfris ka bërë një sezon fantastik dhe pas Mançester Junajtidit, edhe Çelsi ka shprehur interesin e tij, duke i propozuar Interit përfshirjen e mbrojtësit të djathtë në tratativën që mund të sjellë Lukakun në Itali. Holandezi, që është blerë për 12 milionë euro plus 3 të tjera në formë bonusesh, aq sa është rroga aktuale e Lukakut te Çelsi, ka pësuar një rritje të frikshme të vlerës së tij duke e dërguar në 40 milionë euro çmimin e kartonit. 26-vjeçari nuk është i pashitshëm te zikaltrit, që nuk do ta kishin problem largimin e tij pas vetëm një viti mbërritjeje, për më tepër në shifra të tilla.
Përfshirja e Dumfrisit në operacionin për Lukakun është një ide që nuk ka lënë indiferentë as drejtuesit zikaltër, me Bepe Marotën që ka nisur të mendojë mënyrën si mund ta përdorë kartën “Dumfris” jo vetëm për të mbërritur te Lukaku, por edhe për të kursyer sa më shumë.
Arena e Lajmit

Loading…