Te Dinamoja po punojnë në heshtje për skuadrën e sezonit të ri. Edhe pse duket sikur klubi nuk po lëviz gjatë kësaj kohe, duke pritur që të zgjidhet çështja e shumëpërfolur e kontratave me lojtarët titullarë të sezonit të fundit, e kundërta po ndodh. Ka një akord me trajnerin Artan Mërgjyshi dhe pritet që së shpejti të bëhet edhe zyrtarizimi.
Në fillim u fol për vazhdimin e projektit me Rodolfo Vanolin, madje italiani nisi punën menjëherë pas ndeshjes së fundit të kampionatit. Por situata mori një rrjedhë tjetër më pas. Ndryshimet do të prekin stafin teknik dhe ndoshta edhe poste të tjera në klub.
DINAMO E RE
Nga sa mund të kuptohet duke parë zhvillimet e fundit, skuadra e sezonit të ri do të jetë thuajse e re. Ndryshimet pritet të jenë më të shumta nga sa mund të ishin menduar më parë. Ka dyshime edhe për ndonjë lojtar të piketuar për të qëndruar edhe në Kategorinë e Parë. Në mes është edhe kontrata dhe çështja është jo pak e kompletuar. Mbrojtësi Alesio Mija dhe portieri Edvan Bakaj janë dy nga ata që do të jenë pjesë e Dinamos së re. Portieri tjetër, Simon Simoni, nëse nuk shitet në një kampionat të huaj, mund të kalojë ndoshta në një ekip në Superiore për të luajtur në nivel të lartë. Klubi ka në planet e veta edhe disa lojtarë të tjerë, si Bardhi, Fejzulla, Laho e të tjerë, por edhe në këtë rast mbetet të shihet si do të shkojë çështja e kontratave. Për titullarët është e qartë se do të largohen të gjithë.
MERKATO
E gjitha kjo situatë e bën të domosdoshme merkaton te blutë e kryeqytetit. Nëse më parë me Vanolin ishte në plan të bëheshin blerje të fuqishme, tani shpenzimet mund të reduktohen dhe fokusi mund të jetë te lojtarë të kampionatit shqiptar. Lojtarë që me eksperiencën e tyre mund të ndihmojnë Dinamon në Kategorinë e Parë, ku sezonin e ri do të ketë mjaft konkurrencë. Gazeta mëson se klubi po punon edhe për merkaton në heshtje, por për momentin nuk mund të flitet me emra konkretë. Sot skuadra mbyll javën e dytë të stërvitjes, që është planifikuar deri më 15 qershor. Vëmendja mbetet e gjitha te situata me titullarët dhe kontratat e tyre.
FATJON RUPI-Arena e Lajmit

Loading…