
Ilir Meta mori pjesë në ceremoninë e kremtimit të 14 Korrikut, Festës Kombëtare të Francës, Ditës së Bastijës, që organizohet nga Ambasada e Frances.
Gjatë fjalës së tij kreu i shtetit tha se “Nuk ka asnjë alternativë tjetër për Shqipërinë përveç rrugës së pandalshme drejt Evropës së Bashkuar, në përqafim dhe mbrojtje të vlerave dhe parimeve universale të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut.”.
FJALA E METES
E nderuar Ambasadore e Francës, zonja Elisabeth Barsacq,
Të nderuar Autoritete të Larta të Shtetit shqiptar,
Të nderuar përfaqësues të Trupit Diplomatik,
Të dashur miq të Francës dhe të Shqipërisë,
Zonja dhe zotërinj,
Jam shumë i lumtur që ndodhem, në ceremoninë e kremtimit të 14 Korrikut, Festës Kombëtare të Francës, Ditës së Bastijës.
Dita që ndryshoi Francën, Evropën dhe botën.
Atë ditë të madhe, populli francez, me flamurin trengjyrësh, blu, të bardhë e të kuq në dorë, tregoi forcën e tij duke i kthyer pushtetin qytetarëve francezë dhe duke treguan modelin dhe shembullin për gjithë popujt e Evropës se padrejtësia dhe abuzimi me pushtetin nuk mund të jenë të përjetshëm, kur qytetarët ndërgjegjëson dhe bashkohen për liri dhe drejtësi.
Shqipëria dhe Franca kanë një histori të hershme bashkëpunimi.
Roli i Francës në krijimin e Republikës autonome të Korçës dhe më pas, në hapjen e Liceut të parë francez në këtë qytet me shumë tradita janë fillesat e para të bashkëpunimit të ngushtë, të interesit në rritje të Francës në Shqipëri, të formimit të vatrës së parë frankofone dhe krijimit të elitës intelektuale shqiptare.
Bashkëpunimi në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë vazhdon të mbetet një nga aspektet më të suksesshme të marrëdhënieve tona.
Traktati i Mirëkuptimit dhe Miqësisë dhe Partneriteti Strategjik mes dy vendeve janë dëshmi e vullnetit tonë të përbashkët për forcimin dhe pasurimin e marrëdhënieve tona të shkëlqyera, që këtë vit shënojnë edhe 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike.
Shqipëria ndodhet sot përkrah Francës dhe aleatëve tanë euroatlantike në përballje me luftën në kufijtë e Evropës, pas pushtimit të paprovokuar dhe të padrejtë të Ukrainës nga Rusia, si në veprimet sanksionuese ashtu edhe në qëndrimet dhe vendimet e harmonizuara në Këshillin e Sigurisë së OKB-së për këtë çështje shumë të rëndësishme.
Sot në këtë shumë të rëndësishme për Francën dhe ne miqtë e saj, dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen Presidenti Macron për ndihmën dhe mbështetjen që Franca i ka dhënë Shqipërisë dhe vazhdon t’i japë për integrimin e saj në Bashkimin Evropian.
Përpjekjet dhe angazhimi i drejtpërdrejtë i Presidenti Macron, veçanërisht gjatë presidencës franceze të Këshillit, për të tejkaluar ngërçin në raportet Bullgari- Maqedoni e Veriut janë të një rëndësie të veçantë për ne dhe për të gjithë rajonin.
Nuk ka asnjë alternativë tjetër për Shqipërinë përveç rrugës së pandalshme drejt Evropës së Bashkuar, në përqafim dhe mbrojtje të vlerave dhe parimeve universale të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut.
Shqipëria dhe Franca janë sot shumë afër, jo vetëm sepse pas 31 vitesh kompania prestigjioze Air France po lidh direkt Parisin me Tiranën, por edhe sepse prania e investitorëve francezë dhe prania e francezëve në përgjithësi, është rritur ndjeshëm në Shqipëri.
Zonja ambasadore,
Urimet më të mira e të sinqerta për vendin tuaj të mrekullueshëm dhe për të gjithë francezët kudo që janë e festojnë sot!
SANTE!
GËZUAR!