Dinamo nuk do të ribëhet nga e para. Nëse vjet morën njëherazi 20 lojtarë, klubi këtë herë synon që të mbajë një pjesë të mirë të organikës.
Fakti që do të luajnë në Kategorinë e Parë, nuk i detyron që të bëjnë merkato të fuqishme. Ashtu siç ka pohuar presidenti Adrian Bardhi për “Panorama Sport”, do të bëjnë vetëm 4 goditje.
Klubi ka tashmë një listë me emrat e atyre që mendojnë t’i “blindojnë”.
PORTA – Edvan Bakaj është menduar të jetë titullari i portës blu për sezonin e ri. Edison Harizaj është kthyer tek Apolonia, nga e cila kishte ardhur i huazuar, ndërsa Simon Simoni pritet të transferohet në një kampionat të huaj. Drejtuesit gjykojnë se Bakaj, falë përvojës së gjatë që ka, është njeriu i duhur për t’i besuar kuadratin e portës.
MBROJTJA – Për këtë repart, sipas burimeve të gazetës pranë klubit kryeqytetas, është menduar që të qëndrojnë Alesio Mija, Ali Samake dhe Indrit Prodani. Janë të gjithë lojtarë në kontratë me Dinamon. Ajo që mund të duket pak e çuditshme ka të bëjë me Ali Samaken, një lojtar i kritikuar gjatë sezonit të fundit.
Ai ka marrë leje nga klubi për momentin dhe do të kthehet pastaj për fazën përgatitore. Mija dha prova se është në nivelin e duhur për Dinamon, ndërkohë që pritet të afrohet një mbrojtës qendre me përvojë. Po ashtu, nevojitet edhe një mbrojtës i djathtë.
MESFUSHA – Në planet e klubit është mesfushori i njohur Sabjen Lilaj. Korçari ka kontratë dhe po rikuperohet në Greqi aktualisht. Ai e ka lënë gjithçka të hapur sa i takon së ardhmes, por duhet parë si do të rrjedhin ngjarjet.
Lilaj shihet nga drejtuesit e Dinamos si një nga lojtarët me shumë përvojë që mund të udhëheqin skuadrën drejt kthimit në Superiore. Të rinjtë Fejzulla dhe Laho janë alternativa për mesfushën blu, ashtu si dhe Përloshi, i cili luan në mbrojtje.
SULMI – Edhe në këtë repart pak lojtarë mund të qëndrojnë. Braziliani Denison është një nga të preferuarit e klubit për të vazhduar bashkëpunimin. Ai nuk u preferua nga trajneri Vanoli javët e fundit, por shihet si një element i rëndësishëm. Edhe Patrik Bardhi, i cili është në fazë rikuperimi, ka mundësi për të qëndruar.
Me siguri Dinamo do të afrojë një qendërsulmues me kualitet që të garantojë golat për rikthimin e shpejtë në elitë. Për momentin, në listën e të preferuarve janë:
Edvan Bakaj, Alesio Mija, Ali Samake, Indrit Prodani, Sabjen Lilaj, Denison, Patrik Bardhi. Plus disa të rinj që premtojnë. Më pas fjalën do ta ketë merkatoja.
FATJON RUPI – Arena e Lajmit

Loading…