
Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin “Milot – Tuneli Kalimashit”, në vendin e quajtur “Vau Shkjeze”, Rrubik, ku si pasojë kanë ndërruar jetë dy të rinj, dhe është plagosur rëndë një tjetër.
Mësohet se viktimat janë nga Tirana, 30 dhe 31 vjeç, Denis Gjeta dhe Marius Çeça të cilët ishin pasagjerë në mjetin e 35-vjeçarit Marsel Busho që mbeti i plagosur, pasi makina humbi kontrollin dhe u përplas me mbrojtëset metalike anësore të rrugës.
Mirditë / Informacion paraprak
Rreth orës 02:30, në aksin rrugor “Milot – Tuneli Kalimashit”, në vendin e quajtur “Vau Shkjeze”, Rrubik, ka ndodhur një aksident automobilistik.
Shtetasi M.B. duke udhëtuar në këtë aks rrugor me automjet, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij, ku mjeti është përplasur me mbrojtëset metalike anësore të rrugës.
Për pasojë kanë humbur jetën dy pasagjerët që ndodheshin në mjet, konkretisht shtetasit M.Ç. 31 vjeç, dhe D.Gj. 30 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa drejtuesi i mjetit shtetasi M.B. 35 vjeç, ndodhet në Spitalin e Traumes Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor vazhdon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.