
Kreu i grupit të PD, Enkelejd Alibeaj, pas Shkodrës dhe Fierit ka zhvilluar sot një takim në Vlorë, për konsultimin e Reformës së Vetëqeverisjes Lokale.
“Një pushtet vendor, që në vend se t’u shërbente nga afër njerëzve, e të kontrollohej prej tyre, tashmë është thjesht një zgjatim korruptiv i pushtetit qendror e që shërben vecse për punësime elektorale, për tendera klienteliste dhe për zhvatjen e tokave të bregut dhe ndërtimeve pa fre te oligarkëve për pastrimin e parave të krimit e të korrupsionit në bregdet. Humbi identitetin dhe historinë e Dukatit e Orikumit, Novoselës e Ksamilit dhe po rrezikon atë të Delvinës. Ka bërë të pamundur administrimin e territoreve dhe interesave të qytetarë të bashkive aktuale, përvecse prodhoi dhe përleshje të turpshme tragjikomike, prej babëzisë, midis kryeministrit e kryebashkiakut, në mes të Vlorës”, është shprehur ai.
‘Është kjo pasqyra e zymtë dhe fruti i hidhur i “reformës” territoriale të 2014
Pushteti vendor është i qytetarëve e duhet të ndodhet e të ndjehet afër tyre, duhet të jetë pushteti ku vendosin ata dhe kontrollojne ata. Detyrimi ynë është të përçojmë në komisionin e reformës së pushtetit vendor, zërin e tyre. Një reformë që e kthen shërbimin tek njerëzit dhe jo një reformë që i shërben vetëm pushtetit. Një reformë që bën decentralizim real të pushtetit nga qendra në bazë, që mbron traditën, historinë, garanton autonominë ekonomike, vetëqeverisjen dhe mbi të gjitha i jep kontroll real qytetarit mbi të zgjedhurin.
Këto diskutuam gjatë takimit, së bashku me kolegun Arbi Agalliu dhe ekspertin e PD në komisionin e posaçëm, Roland Bejko dhe me përfaqësuesit tanë ndër vite të cdo bashkie në qark, njohës dhe ushtrues të pushtetit vendor. Vlerësime dhe analiza të vlefshme për anëtarët tanë në Komisionin e Reformës së Pushtetit Vendor”, thotë Alibeaj.