Pas triumfit në Serinë A me Milanin, Brahim Diaz ka shijuar një çmim individual që i është dhënë në Malaga, qyteti i tij i rritjes në Spanjë.
Fantazisti i “Djallit” është lojtari i parë nën 23 vjeç në historinë e futbollit që arrin të fitojë “Tripla Corona” ose, e thënë ndryshe, tri kampionate madhore në Europë.
Përpara Serisë A, ai pati fituar kampionatin anglez me Sitin dhe Ligën spanjolle me fanellën e Realit të Madridit nga ku kuqezinjtë e kanë huazuar.
Teksa Pioli është trajneri i fundit, sukseset e tij Diaz i ka realizuar nën drejtimin e Pep Guardiolës dhe Zinedin Zidanit. Lidhur me çmimin në fjalë, 22-vjeçari deklaroi:
“Është një burim krenarie për të cilin u detyrohem bashkëlojtarëve të mi. Nuk e kisha imagjinuar kurrë ta fitoja kaq i ri. Titujt e lojtarëve dhe trajnerit flasin vetë.
Jam me fat që jam stërvitur nga dy legjenda si Zidani dhe Guardiola. Shpresoj të bëhem edhe një prej tyre gjatë karrierës time”.
ASNJË SI IBRA
Diaz falënderoi shokët e skuadrave ku ka bërë pjesë, por komentet më të veçanta ia kushtoi Zlatan Ibrahimoviçit. Numri 10 kuqezi e cilësoi suedezin si element thelbësor jo vetëm në ecurinë e Milanit, por edhe në rritjen personale të shumë lojtarëve që kanë qenë në përbërje të ekipit të Piolit që nga janar i 2020-ës kur Ibra u rikthye te Milani.
“Ibrahimoviç është në moshën e babait tim, por ende bën diferencën.
Në fushë, por edhe jashtë saj. Për mua ai është si një baba në dhomat e zhveshjes, ai ma ka bërë më të lehtë sepse kur kam topin duhet t’ia kaloj atij përndryshe inatoset.
Ibra është një lojtar i jashtëzakonshëm, me një karizëm të madhe dhe që i pëlqen të fitojë, i pëlqen të punojë në stërvitje dhe gjithashtu ua përcjell dëshirën e tij të gjithë të tjerëve në ekip, qofshin lojtarë apo anëtarë të stafit teknik.
Ai i bën të gjithë lojtarët më të mirë sepse i shtyn të gjithë që të japin gjithmonë më të mirën e tyre pavarësisht nëse janë duke punuar në palestër apo në stërvitje. Kjo është e vetmja mënyrë për sukses në fushën e lojës”, përfundoi deklaratën e tij Brahim Diaz.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI

Loading…