Lajthitë e Njoma dhe të Freskëta – Pse Duhen Patjetër Për Organizmin

A e sillni ndërmend fëmijërinë dhe shijen e mrekullueshme të lajthive të njoma?

Ju kujtohet teksa mundoheshit t’i zhvishnit nga gjethet dhe me gur t’i çanit për të marrë frutin magjik?

Kujtimet mund të fashiten por shija e lajthive të njoma jo, ndonëse tani jemi më shumë të mësuar me shijen e lajthive të thata.

Por kjo është periudha e parë kur lajthitë e para të njoma dhe të freskëta sapo janë këputur nga pemishtet dhe gjenden në koshat e tregjeve të fshatarëve.

Shqipëria është e bekuar me pemishte lajthish të cilat kur janë të njoma ofrojnë vlera pafund për konsumatorët.

Si çdo ushqim tjetër edhe lajthitë kanë një dozë të rekomanduar ditore. Doza e shëndetshme ditore e lajthive është 20 kokrra në ditë.

Sipas të dhënave shkencore, nëse konsumoni lajthi në pesë ditë në javë, reduktoni rreziqet e zemrës me 30-50%, kjo bazuar në shifrat e Organizatës Botërore të Ushqimit.

Lajthia është nga ato ushqime që edhe të shijon, të kënaq shpirtin siç i themi ne, por edhe na bën mirë.

Lajthia ka yndyrna të pangopura të cilat zvogëlojnë kolesterolin e keq në gjak me 27%.

Sipas studimeve njerëzit që konsumojnë lajthi rregullisht kanë 50% më pak shanse për të humbur jetën si pasojë e atakut në zemër.

Ngrënia e tyre ul kolesterolin e keq dhe rrit atë të mirin.

Shumë studime të konsultuara nga AgroWeb.org tregojnë se ngrënia e lajthive të njoma përmirëson funksionet e trurit, lufton depresionin dhe frenon problemet mendore si pasojë e moshës.

Thënë shkurt, lajthitë janë një ushqim fantastik i jetëgjatësisë.

Lajthitë janë një burim i shkëlqyer i Vitaminës E që parandalon shpërbërjen e qelizave të kuqe të gjakut dhe rrezikun e shfaqjes të sëmundjeve të gjakut.

Lajthitë janë të pasura me vitaminë B6 që nevojitet për formimin e mielinës, që është mburoja e nervave.

Kjo rrit shpejtësinë dhe efikasitetin e impulseve dhe lejon funksionimin normal të sistemit nervor.

Në ndryshim nga arrorët e tjerë, lajthitë janë një burim i pasur me folat. 100 gramë lajthi kanë 30% të dozës së rekomanduar ditore.

Folati i bën mirë grave shtatzëna sepse parandalon aneminë dhe defektet nervore tek foshnjat./AgroWeb.org

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×