FSHF ka mbledhur sot në një tavolinë të rrumbullakët klubet e Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë, duke u paraqitur atyre një plan të ri kërkesash për t’iu drejtuar qeverisë shqiptare. Kërkesa të cilat përtej riformulimit të idesë për një Ligj Sponsorizmi të ri, i është shtuar edhe ajo për hapjen e basteve sportive të cilat janë të ndaluara me ligj në vendin tonë.
“E thënë edhe nga organizata të tjera sportive në vend, jo vetëm nga ne, bastet sportive në Shqipëri janë ndaluar me ligj, por realisht bastet sportive janë ndaluar vetëm për të arkëtuar buxheti i shtetit, por ato ekzistojnë në çdo pikë të vendit. Kështu që të bëjmë një kërkesë qoftë për ligjin e sponsorizimeve dhe bastet sportive, parlamentit dhe qeverisë shqiptare që t’i rikthejë ato dhe 70% e të ardhurave nga ky aktivitet t’i kalojë sportit dhe një pjesë kryesore futbollit. Ky është një burim i rëndësishëm financimi për akademitë, klubet, por edhe infrastrukturën sportive. Nëse edhe ju jeni dakord, t’i drejtojmë në emër të komunitetit të futbollit një kërkesë qeverisë dhe parlamentit shqiptar për ndryshimet ligjore për ligjin e sponsorizimeve dhe basteve sportive dhe për ndonjë gjë tjetër që ju mendoni”, shpjegoi presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Ndërkohë, kishte drejtues të ndryshëm klubesh të cilët ngritën shqetësimin e tyre për shkak të mungesës së sponsorizimeve apo varësisë nga paratë e UEFA-s dhe pushtetit lokal për të mbijetuar në kushtet aktuale. Në fund të kësaj mbledhje, u vendos që të përpilohej një kërkesë e përbashkët që t’i drejtohej qeverisë shqiptare për të rishikuar Ligjin për Sponsorizimin dhe për të diskutuar mundësinë e hapjes së basteve sportive.
Arena e Lajmit

Loading…