EKSKLUZIVE/ “Ngjis Flamurtarin me Idrizin”, kryebashkiaku Leli i ofron mbështetje administratorit dhe propozon ndryshim të ligjit të sportit

Bashkia Vlorë vërtet nuk po financon më për futbollin, por Dritan Leli shihet gjithnjë e më pranë Flamurtarit. Kryebashkiaku po ndjek me vëmendje zhvillimet e klubit dhe shpesh konsultohet me Sinan Idrizin.

sinan idrizi dritan leli

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai nuk e sheh të largët ditën kur kuqezinjtë do t’i rikthehen lavdisë. “Topi ka të papriturat e veta, si çdo gjë e rrumbullakët. Flamurtari kaloi ditë të vështira dhe mirë nuk më vjen. Por mendoj se po kalojnë dhe dukshëm situata ka ndryshuar. Mirë do të ishte që të kishte lavdinë e dikurshme të Sokol Kushtës, Vasil Rucit e Rrapo Tahos dhe të gjithë yjeve që ka pasur Vlora.

Megjithatë, si shumë gjëra që ndryshojnë në Shqipëri, jo të gjitha ecin në drejtimin që njerëzit presin, ashtu sikundër edhe me Flamurtarin ka ndodhur kështu. Unë jam duke ndjekur nga afër zhvillimet që po ndodhin brenda ekipit. Kalojmë në Kategorinë e Parë, me objektivin për t’u ngjitur shpejt në Superiore. Administratori Idrizi po u mëshon shumë edhe ndryshimeve në infrastrukturë. Jam në kontakte të vazhdueshme me Idrizin dhe i kam shprehur të gjithë mbështetjen time”, tha fillimisht numri një i qytetit.

LIGJI I SPORTIT

Kryebashkiaku shikon si zgjidhje përfundimtare të problematikave në futboll ndryshimin e ligjit të sportit. Propozon të merret shembull nga Kosova: “Nuk e kam lënë pa e studiuar edhe këtë, por ligji i sportit në Shqipëri duhet të ndryshojë. Duhet që të favorizojë dhe të krijojë struktura të cilat t’i bëjnë klubet më shumë të interesuara për të investuar dhe të krijojë lehtësira për ata që i marrin përsipër këto iniciativa.

Leli idrizi

Të them të drejtën unë për ekipin e Flamurtarit vjet nuk kam dhënë asnjë lek, asnjë qindarkë. Flamurtari është mbajtur nga presidenti i klubit. Nuk është një sipërmarrje e vogël. Duhet të ketë një qasje shumë më të zhdërvjellët. Shumë nga njerëzit që merren me këtë punë më tregojnë që Kosova ka një mënyrë shumë të mirë të financimit të klubeve sesa vendet e tjera. Por, pa bërë ekspertin, them se diçka duhet të ndryshojë me qëllim që njerëzit të ecin e ta zhvillojmë më tej futbollin”.

FINANCIMI PËR ORIKUN

Dritan Leli ndalet edhe tek Oriku. E përgëzon klubin për ringritjen në Kategorinë e Parë, ndërsa i shpreh mbështetje nëse do ta kërkojnë. “Ne kemi financuar klubin e Orikut. Nuk e di se çfarë do të bëjmë në vazhdim. Mund të rikthehemi te financimi i bashkisë nëse e kanë të pamundur që ta mbajnë.

Klubi i Orikut u rrit ditë pas dite, saqë sot luan në të njëjtën kategori me Flamurtarin. I përgëzoj për ringritjen dhe kampionatin e bukur që kanë bërë”, përfundon kryetari i Bashkisë Vlorë.

Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×