Shorti i Ligës së Konferencës ka vendosur Universitatea Kraiova përballë Vllaznisë në turin e dytë të turneut. Një short i cili kthen në mendjen e rumunëve edicionin e kaluar kur kjo skuadër e nisi si favorite përballë Laçit, por e pa vetën të eliminuar nga skuadra e Shpëtim Duros.
Megjithatë, trajneri Laszlo Balint, ka deklaruar sot pas shortit se Vllaznia i duket një skuadër e kalueshme, edhe pse ka paralajmëruar që futbolli shqiptar është shumë agresiv ndaj do të duhen përgatitje maksimale.
“Na duhen përforcime, këtë e diskutuam me presidentin dhe kemi pasur disa kontakte. Ne gjithashtu kemi edhe pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës, ku ne shpresojmë të kemi një udhëtim sa më të gjatë që të jetë e mundur. Është normale, çdo lojtar i vlefshëm është i mirëpritur.
Në pamje të parë, Vllaznia duket një skuadër e kalueshme, por të mos harrojmë veçantinë e futbollit shqiptar, një futboll i fokusuar shumë mbi shpirtin e vendosmërisë, një futboll agresiv. Duhet të jemi të përgatitur në çdo mënyrë.
Prioriteti për ne në këtë moment është të bëjmë përgatitjet më të mira të mundshme dhe pastaj do të kemi debutimin në kampionat. Unë nuk dua të përqendrohem te ajo që ishte. Eksperienca me Laçin ishte e pakëndshme për të gjithë futbollin rumun. Por ne duam të bëjmë më mirë dhe arrijmë objektivat tonë.
Shorti në Ligën e Konferencës për skuadrat rumune duket i kalueshëm. Por futbolli është i paparashikueshëm dhe duhet të marrim me seriozitet çdo detaj. Duam të ecim sa më shumë të jetë e mundur në Ligën e Konferencës ndërsa në kampionat gjërat janë të qarta. Ne duam të luftojmë për trofe”, tha Laszlo Balint.
Arena e Lajmit

Loading…