Dan Ignat është i vetmi futbollist rumun i cili ka veshur fanellën e Vllaznisë dhe padyshim për mediat në vendlindjen e tij, ishte personi i duhur që mund të fliste për sfidën e skuadrës shkodrane ndaj Universitatea Krajova në turin e dytë të Ligës së Konferencës.
Në një intervistë për “Pro Sport”, Ignat ka folur për eksperiencën e tij njëvjeçare në Shkodër, ku luajti në sezonin 2018-2019, por edhe për situatën aktuale të kuqebluve, pasi mbrojtësi 36-vjeçar mbetej në kontakt me disa prej futbollistëve të klubit shkodran.
“Unë kam luajtur për Vllazninë një sezon, menjëherë pasi skuadra ra në kategorinë e dytë por u ngjit menjëherë. Ndërkohë, skuadra është kthyer përsëri në një ekip të fortë në Shqipëri dhe ka luajtur për titullin. Ky është një klub me traditë, i katërti në Shqipëri sa u përket trofeve të fituar, pas Tiranës, Dinamos dhe Partizanit.
Unë jam në kontakte me disa shokë skuadre dhe kam folur me ta edhe për këtë ndeshje, sidomos me mbrojtësin Gurishta i cili është gjithashtu edhe kapiteni i skuadrës. Që nga periudha kur kam luajtur për ta, kanë mbetur 5 lojtarë të tjerë në skuadër. Përfshirë Krymin dhe Krujën, të dy me eksperiencë. Edhe vitin e kaluar kam folur me ta për ndeshjen me Laçin.
Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë për Universitatea Krajovën, sidomos pasi tifozët krijojnë një atmosferë të zjarrtë gjatë ndeshjeve. Vllaznia po bën mirë në goditjet standarte, është e organizuar mirë në mbrojtje, sidomos meqë së fundmi është trajnuar nga gjermani Thomas Brdariç. Stadiumi do të jetë i mbushur plotë në Shkodër. Ai është stadiumi më modern në Shqipëri pas atij të Tiranës. Është një stadium i rindërtuar 5 vite më parë”, tregoi Ignat i cili ka vazhduar udhëtimet e tij pas largimit nga Vllaznia dhe tashmë luan në Republikën Domenikane.
Arena e Lajmit

Loading…