Vjen koha e vendimeve të mëdha për Daniel Maldinin. Nga një anë, futbollisti ka mundësinë që të vazhdojë dinastinë e gjatë të familjes së tij në radhët e klubit kuqezi, ndërsa nga ana tjetër është dëshira për të luajtur dhe për të shprehur potencialin e plotë, gjë që për momentin nuk mund ta bëjë te kuqezinjtë.
Në sezonin e fundit, futbollisti ka luajtur vetëm 239 minuta në 13 ndeshje të ndara mes kampionatit dhe kupave. Shumë pak për një lojtar 20-vjeçar, aq më shumë kur rivaliteti në sulm do të shtohet pas afrimit të Origit. Kështu, në këtë verë ai do të ulet të diskutojë të ardhmen e tij më drejtuesit e klubit, më saktësisht me babain Paolo.
Ky i fundit në fakt do të preferonte të mbante të birin në ekip, jo thjesht për çështje emri. Sulmuesi i shërben Milanit sidomos për regjistrimin në UEFA, pasi bën pjesë në grupin e 4 lojtarëve që duhen në lista si të rritur në këtë skuadër. Ndaj Paolo Maldini do të jetë i ndarë mes asaj që i nevojitet të birit dhe asaj që i nevojitet klubit që drejton. E sigurt është që ofertat për Daniel nuk mungojnë, pasi janë të shumta klubet e Serisë A dhe Serisë B që kanë kërkuar informacione për të.
Arena e Lajmit

Loading…