Marko Asensio ka lënë pezull të ardhmen e tij me Realin, ndonëse vetë futbollisti e di se është më shumë jashtë sesa ende pjesë e klubit. Shkurt, mesfushori-sulmues po pret ofertën e duhur dhe për të nuk janë të pakta skuadrat në radhë.
Gjithsesi, për momentin duket se Arsenali dhe Milani, të cilat kanë qenë më aktivet kundrejt tij, nuk e bindin siç duhet 26-vjeçarin, por ndoshta këtë gjë mund ta bëjë Juventusi, të paktën sipas burimeve mediatike spanjolle.
Katalanasja “Mundo Deportivo” nënvizon se Asensio po pret një telefonatë nga “Zonja e Vjetër”, e cila gjithashtu është në kontakte me futbollistin e Realit të Madridit, por në Torino presin fillimisht përgjigjen finale nga ana e Di Marias, me të cilin kanë një akord paraprak, por nëse argjentinasi nuk pranon, atëherë Juventusi do të vërë në zbatim planin B, “Asensio”.
Bardhezinjtë dhe trajneri Masimiliano Alegri kanë një pëlqim të veçantë për Asension dhe pa dyshim që për një shumë prej jo më shumë se 35 milionësh, ky investim nuk shihet aspak si i pamundur te Juventusi. Përkundrazi, spanjolli do të ishte figura e duhur si kundërpërgjigje ndaj Interit për goditjet Dibala dhe Lukaku.
Arena e Lajmit

Loading…