Presidenti i Universitatea Kraiovës, Sorin Çartu, e konsideron si turp për të gjithë Rumaninë nëse klubi i tij nuk arrin të kualifikohet ndaj Vllaznisë. Ndeshja e parë e dy skuadrave do të luhet më 21 korrik në Shkodër për llogari të turit të dytë të Ligës së Konferencës.
Çartu ka folur për mediat rumune edhe gjatë ditës së djeshme, duke e shtuar dozën e thumbimeve që një muaj para se të luhet ndeshja. Kreut të klubit rumun nuk i ka dalë ende inati pas eliminimit që pësoi në edicionin e kaluar nga Laçi.
“Është momenti të nxjerrim disa mësime radikale dhe sjellja e ekipit të jetë ndryshe këtë herë pas asaj që pësuam në edicionin e kaluar në Shqipëri. Nuk mund ta pranojmë si në vitin e kaluar, pasi është e pakonceptueshme që të dështojmë sërish në këtë tur kualifikues. E di që Vllaznia luan në një qytet që është 100 kilometra larg Tiranës, por nuk ka asnjë justifikim, prandaj them se ajo që ndodhi vitin e kaluar, duhet të jetë mësim. Nëse të ndodhë njëherë dhe ti nuk ke mësuar asgjë, atëherë është koha që të dënohesh. Do të ishte turp për ne dhe për gjithë futbollin e Rumunisë nëse eliminohemi sërish ndaj një skuadre shqiptare”, ka deklaruar Sorin Çartu, i cili është një personazh i shpeshtë në mediat rumune.
Gjatë edicionit të kaluar presidenti i Universitatea Kraiovës shpërtheu ndaj lojtarëve dhe shkarkoi trajnerin pas eliminimit kundër Laçit.
Arena e Lajmit

Loading…