Abdurrahman Fangaj nuk është më pjesë e Vllaznisë. Mbrojtësi i djathë, i cili i ishte bashkuar shkodranëve me shpresën për të rifituar formën e tij dhe një vend në formacionin e kësaj skuadre, nuk ia ka dalë që të sigurojë hapësirat që synonte e për këtë arsye, ka mbyllur eksperiencën e tij në radhët e klubit.
Ai e ka bërë të ditur këtë nëpërmjet një mesazhi enigmatik në rrjetet sociale, pasi ka lënë të kuptohet se diçka nuk kishte shkuar në këtë kthim të tij te shkodranët, klub në akademinë e të cilit ishte formuar si futbollist.
“Përshëndetje! Nga sot nuk do jem më pjesë e KF Vllaznia. Faleminderit te gjithë atyre që më ndihmuan gjatë këtij rrugëtimi , njëkohësisht jam i lumtur për sukseset që arritëm së bashku dhe plotësimin e ëndrrës së fëmijërisë që një ditë të kontribuoja për qytetin tim. Jo çdo gjë shkoi ashtu siç dëshirova unë, pavarësisht që kisha shumë pengesa për të ecur përpara unë jam mësuar që të keqen ta kthej me të mirë. Dashurinë që kam për ngjyrat kuq e blu nuk do të mundet askush të ma shuajë!”, shkruante Fangaj në postimin e tij.
Arena e Lajmit

Loading…