Të gjithë e dinin që Mesut Ozil është i fiksuar pas videolojërave, por askush nuk e mendonte se kampioni i Botës me Gjermaninë në vitin 2014 po mendon seriozisht karrierën e një “gamer” profesionist.
Ozil nuk ka qenë me shumë fat në eksperiencën e tij në Turqi, ku iu bashkua Fenerbahçes. Pas një zënke me trajnerin e skuadrës, ai është përjashtuar nga ekipi dhe për momentin nuk është në planet e klubit edhe pse ka një kontratë në fuqi me të. Ndaj praktikisht ai nuk di si të shtyjë kohën e lirë meqë nuk po zbret dot në fushën e lojës dhe ka shtuar kështu orët e videolojërave.
Që në kohën kur ishte te Real Madrid e më pas te Arsenal, Ozil kishte marrë famë si një person i fiksuar pas lojërave e sidomos Fortnite me të cilën kalonte orë të tëra çdo ditë, ndërsa tani raportohet se në mungesë të aktivitetit në fushën e lojës, po mendon të kthehet në një lojtar profesionist të kësaj loje të famshme. Këtë e konfirmoi për mediat britanike edhe menaxheri i tij, Erkut Sogut.
“Është aq i mirë sa nuk do të çuditesha nëse vazhdon si profesionist. Ka një skuadër të tijën për eSports dhe një qendër lojërash në Gjermani”, shpjegoi ai.
Arena e Lajmit

Loading…