Në radhët e Bylisit vitet e fundit janë promovuar shumë lojtarë afrikanë, madje edhe në sezonin e fundit në Ballsh u aktivizuan disa elementë me perspektivë, që “shpërthimin” në karrierën e tyre e shohin nëpërmjet Ballshit dhe futbollit shqiptar.
Krahas Antoni Bejit, që luan sezonin e tij të pestë në vendin tonë, te Bylisi i vjetshëm u dalluan edhe Lionel Samba në mbrojtje, Abubakar Kamara në mesfushë si dhe një lojtar shtatlartë me tipare ofensive, Babakar Fall me origjinë nga Senegali, por i rritur në akademi të njohura në Itali.
Sulmuesi 1.91 metra i gjatë në kampionatin italian ka vijuar karrierën mes Beneventos dhe Monzës para se të vinte në Ballsh, ku u bashkua me skuadrën e parë dhe me ekipin U-21. Madje u dallua edhe si shënues, pasi realizoi plot 4 gola në shtatë ndeshje me ekipin e parë, si dhe 13 gola në 13 sfida me ekipin U-21.
Për “Panorama Sport” shtatlarti i sulmit ballshiot ka pohuar: “Ishte një vit i suksesshëm vjet, luaja për herë të parë në kampionatin shqiptar, edhe pse më parë kisha dëgjuar dhe më kishin propozuar që të luaja në Superiore. Unë kam luajtur në Itali, madje kam qenë edhe me kombëtaret e moshave atje. Por jam këtu për një të ardhme më të mirë dhe në Ballsh u ambientova shumë shpejt, sepse gjeta edhe shumë bashkëkombës të mi nga Afrika. Për fat në vitin tim të parë ne realizuam me sukses ngjitjen në Superiore si kampionë”, tha Babakar Fall.
Lojtari shtatlartë, që e ka eksperiencën e tretë në Europë pas atyre në Itali dhe Kroaci shton: “Tashmë jam më i pjekur profesionalisht dhe vjet kam bërë zgjedhjen e duhur pasi do të më ndihmojë shumë. E kam nisur në Shqipëri me një klub që promovon lojtarët e rinj kështu që këtë vit në Superiore dua që të luaj sa më shumë për të hedhur një hap të rëndësishëm edhe më tej për të ardhmen e karrierës sime. Pozitive është që jemi një grup me shumë lojtarë të rinj dhe që do të jemi bashkë shumica edhe në sezonin e ri në elitë. E njohim mirë lojën e njëritjetrit dhe kam besim se do të bëjmë mirë edhe aty duke vazhduar atë rrugën e mirë që nisëm në sezonin e shkuar”, përfundoi Babakar Falla, sulmuesi shtatlartë i Bylisit.
ERJON SALIU – Arena e Lajmit

Loading…