Pas përfundimit të një sezoni të gjatë me klubin dhe kombëtaret, lojtarët e Interit po shijojnë pushimet në pritje të grumbullimit të 6 korrikut, mes aktiviteteve të shumta dhe të larmishme, nga plazhet e Kalifornisë e udhëtimet në Afrikë te kalërimi e triathloni.
Hoakin Korrea – “Tuku” është ndër më aktivët në rrjete sociale duke ndarë gjithmonë foto dhe video nga pushimet e tij në Majemi, aty ku nën shoqërinë e shokut të tij të ardhshëm të skuadrës, Paulo Dibala, dhe të fejuarave të tyre, po kalojnë kohën mes detit dhe kërcimeve latine. Ditën e djeshme nuk ka munguar edhe një ndeshje tenisi mes tyre, e cila pa fitues ish-sulmuesin e Juventusit.
Robin Gosens – Robin Gosens po pret të nisë sezonin e tij të parë si titullar me fanellën zikaltër pas largimit të Perisiçit. Në menynë e pushimeve të gjermanit janë përfshirë miqtë e vjetër, familja dhe pa dyshim sporti. Javën e kaluar mbrojtësi i majtë është përfshirë në një garë triathloni në atdhe, një eksperiencë të cilën e përjetonte për herë të parë, që nuk ka ngurruar ta ndajë në rrjetet sociale.
Arturo Vidal – Itinerari i mesfushorit ka përfshirë një numër të madh vendesh, nga vendlindja e tij Kili në ishujt spanjollë apo Meksikë e Majemi. Përveç detit dhe diellit që kanë qenë pjesë e pandarë e ditëve të 34-vjeçarit dhe të dashurës së tij, Sonia Izaca, Vidal është parë edhe të kalërojë me kuajt e Rodleindo Roman, një skuadër në pronësi të tij që militon në ligën e tretë të garave me kuaj në Kili.
Stefan de Vraj – Stefan de Vraj priti këtë verë për të eksploruar kontinentin afrikan. Holandezi gjendet në Tanzani me bashkëshorten e tij, Doina Turkanu, me të cilën po shijojnë parkun kombëtar të Taranzhirit. Luanë, antilopa, leopardë dhe elefantë janë shfaqur në postimet e mbrojtësit ditët e fundit, i cili ka zbuluar pasionin e tij për kafshët. Shtëpia në pemë ka qenë edhe qershia mbi tortë e pushimeve të çiftit larg Europës.
Lautaro Martinez – Lautaro Martinez është siguruar që pas angazhimeve të fundit me Argjentinën të shijojë disa ditë pushimi në vendlindje, por më pas i është rikthyer shumë shpejt Milanos së tij aq shumë të dashur. Arsyeja? Hapja e restorantit të ri në pronësi të tij dhe të bashkëshortes, Agustina Gandolfo, në zemër të qytetit. Biznesi i ri ia ka ndërprerë shpejt pushimet sulmuesit, i cili ama nuk qëndron pa shijuar pishinat dhe arratisjet e shkurtra në brigjet italiane.
Edin Xheko – Edin Xheko është kthyer në vendlindje, aty ku ashtu si shoku i repartit Lautaro, ka në bashkëpronësi me një mik të tij të fëmijërisë një restorant luksoz. Sulmuesi ka zgjedhur t’ia dedikojë gjithë kohën e tij familjes, jo vetëm asaj të ngushtë, por të gjithë të afërmve të tij që ndodhen në Dubrovnik, ku 36-vjeçari po kalon ditët mes plazhit dhe thellimit të njohjes së historisë së vendit të tij.
Arena e Lajmit

Loading…