Rrëfimi për 50-vjetor/ Nga jeta në fushë deri te pankina, murgu Zidan: Ndaj Juves Champions-i më i bukur! Do ta shlyej të kuqin e Materacit

Zinedin Zidan ka dhënë një intervistë të gjatë me rastin e 50-vjetorit të tij për prestigjiozen “L’Equipe”. Ndër të tjera ai ka shprehur hapur dëshirën për t’u bërë trajner i Francës, por ka folur edhe për eksperiencën te Reali si dhe goditjen me kokë kundër Materacit.

zidan

A mund të jeni ju një ditë në stolin e PSG-së?

Kurrë mos thuaj kurrë. Mbi të gjitha kur je një trajner në kohët e sotme. Kur isha futbollist, mund të shkoja në cilin klub të doja, por si trajner është ndryshe. Nuk ka 50 klube në botë që interesohen njëkohësisht për ty. Vetëm disa ose më saktë 3-4 çdo sezon mund të jenë klubet që të kërkojnë dhe të ofrojnë kushtet e duhura. Nëse kthehem të drejtoj një klub, atëherë këtë do ta bëj vetëm për të fituar. Pra, duhet të jetë projekti i duhur.

Po trajner i Francës, sa shanse ka që të jeni?

Nuk e di. Unë nuk e kam fshehur kurrë dëshirën për të drejtuar kombëtaren franceze. Por së pari duhet të presim, të bëjmë tifo për të fituar Botërorin dhe më pas të shohim.

Çfarë kujtimesh keni nga transferimi në Madrid?

Ishte e çuditshme, sepse u bë për një shumë të madhe parash. Një francez që shkon në Madrid për një shifër me aq shumë zero nga pas… (qesh). Duhej të ishin diku te 76 milionë dollarë në atë kohë, ndërsa me vlerën e sotme pa dyshim që do të tejkalonte shifrën 100 milionë eurove.

Ishin vërtet shumë dhe unë nuk kisha se çfarë të bëja, sepse sipas kontratës Juvja kishte të drejtë të kërkonte aq sa e shihte të arsyeshme. Isha 29 vjeç, kisha eksperiencë dhe Reali ishte zgjedhja e duhur. Te Juventusi ndihesha shumë mirë, por e kuptova se sikur po humbja diçka. Kisha nevojë për një aventurë të re. Te Juvja i kisha fituar të gjitha përveç Champions-it. Kishim humbur dy finale kundër Borusia Dortmundit 3-1 në 1997 dhe kundër Realit 1-0 1998. Kisha nevojë për një sfidë tjetër.

E mbani mend takimin e parë me Perezin?

Po, e mbaj mend. Kemi qenë në Montekarlo. Aty mori fund gjithçka, pra aty u vulos transferimi. Ai është një burrë i fjalës dhe atë që e thotë, e bën. Nuk kishte nevojë për takime të tjera. Mbaj mend edhe një episod që më bën të qesh edhe sot: Më shkroi diçka në një kartopecetë edhe ma dha fshehurazi gjatë kohës që po hanim drekën. Ishim ngjitur me njëri-tjetrin. Aty kishte shkruar: “A do të vish te Reali?” Edhe unë iu përgjigja: “Yes”.

Nuk e di akoma pse iu përgjigja në anglisht, kur mund të kisha shkruar në frëngjisht, italisht ose spanjisht. Ai ma kujtonte vazhdimisht gjatë 5 viteve që unë qëndrova aty. Dhe numri 5 nuk është rastësor, sepse është numri i fanellës dhe një numër që më ka ndjekur kudo.

Pse kështu?

Sepse kam luajtur 5 vite te Juvja dhe 5 vite te Reali. Në fanellë kam mbajtur numrin 5. Kam marrë pjesë në 5 finale Champions-i me Realin si lojtar dhe trajner dhe i kam fituar të gjitha. Kam qenë 5 vite trajner moshash dhe zv.trajner para se të bëhesha trajner i parë. Kur isha lojtar dhe unë flija në katin e 5-të të hotelit, ne i fitonim gjithnjë ndeshjet. Madje, edhe kur do prezantohesha te Reali, Perez disi në siklet më tha: “Kemi vetëm numrin 5 të lirë, nuk dua të mërzitesh…” “Jo, – i thashë, – është fiks ai që dua”.

A është goli në Glasgou më i bukuri që keni shënuar? E kemi fjalën për finalen e Champions kundër Leverkusenit…

Ndoshta, nuk e di. Ishte gol shumë i bukur, por mendoj se ishte edhe nga më të rëndësishmit. Kisha humbur 3 finale europiane deri atëherë me Bordonë në Kupën UEFA dhe me Juven dy herë në Champions. Gjithçka nisi nga një veprim i Roberto Karlosit dhe kur topi më erdhi në atë mënyrë, vendosa ta provoja pa u menduar. Ishte një çlirim i jashtëzakonshëm. Ishte një gol spektakolar në një finale Champions-i dhe janë gjëra që ndodhin vetëm një herë në jetë. Kam provuar ta bëj sërish, por nuk e kam shënuar dot më. E kam provuar edhe për kompani reklamash, por kurrë nuk e kam bërë dot më atë gol. Roberto Karlos më tallte më pas se më thoshte që edhe ai kishte bërë një mrekulli, pasi ma dha me këmbën e gabuar, të djathtën… (qesh). Kanë qenë ditë të paharrueshme sepse 3 ditë më pas lindi edhe djali im i parë, Teo. Isha si në ëndërr.

a

 

Çfarë ndjesie ishte kur fituat Champions-in e parë si trajner kundër Atletiko Madridit?

Kam ende një foto ku unë festoj me lojtarët. Qartazi duket se ishim një trup i vetëm. Kishte kaq shumë harmoni dhe vetëbesim, saqë nuk e di se si mund ta humbnim atë ndeshje. Në janar u shpalla trajner i vitit, por ndërkohë sezonin e mbyllëm pas Barcelonës dhe Atletikos në kampionat.

Ama t’i mundnim ata në një finale Champions-i në atë mënyrë ishte një kënaqësi e madhe, por edhe një goditje e rëndë për Atletikon. Shikoni, unë punoj dhe jetoj vetëm për të fituar. Jo gjithnjë fitoj, por ama kur ia dal, nuk është se habitem shumë. Nuk habitem sepse e di që kam dhënë gjithçka për të arritur te fitorja. Nuk ka suksese të rastësishme, kjo është pak, por e sigurt.

Champions-i më “sentimental” që keni fituar?

Është ai kundër Juves, në Kardif në vitin 2017. Jo vetëm sepse te Juventusi nuk e fitova kurrë si lojtar, por sepse Juventusi na rezistoi shumë mirë në fushë dhe na vuri në vështirësi serioze.

Çfarë hezitoni të bëni para një finaleje?

Nuk e pyes veten nëse i kam bërë mirë gjërat apo keq. Bëj zgjedhjet e mia dhe u kërkoj lojtarëve të bëjnë saktësisht atë që kemi punuar për ditë dhe javë të tëra. Nuk e fus kurrë veten në dilema.

Pse ju quanin “murg” në Madrid?

Sepse gazetarët e lajmeve rozë dhe ata të “scoop”-eve të mëdha nuk gjetën kurrë një gjë për mua. Sapo mbërrita në Spanjë, në çdo lëvizje që bëja kisha të paktën 15 ose 20 gazetarë pas shpinës. Më ndoqën për muaj, madje disa edhe për vite, por nuk nxorën kurrë një lajm, sepse jeta ime në fakt ishte shumë strikte dhe shumë e thjeshtë. U mërzitën që nuk më kapën asnjëherë keq edhe nisën të më quanin “murg”… (qesh).

Pse ju quajnë “Zizu”?

I pari ishte Roland Kurbis i Kanës. Në fillim më quanin Jazid në shtypin sportiv, më pas Zinedin dhe në fund Zidan.

A dëshironi ende të punoni si trajner?

Po, pa dyshim që po. Një ditë së shpejti do të jem sërish. Kur? Nuk e di, nuk varet nga unë. E sigurt është që unë do ta mbyll rrethin si trajner me një skuadër franceze. A do të jetë kombëtarja? Nuk e di. Nëse është e shkruar që një ditë të drejtoj kombëtaren franceze, atëherë do ta bëj. Në të kundërt do të bëj diçka tjetër. E sigurt është që të drejtosh kombëtaren e vendit tënd, është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë një trajneri.

E mbani mend debutimin tuaj me Francën?

Patjetër që po. Madje braktisa edhe fjalimin para drekës që mbante trajneri një ditë para ndeshjes. Pastaj erdhën shokët në dhomë edhe më thanë: “Çfarë dreqin po bën, pse nuk erdhe në mbledhje?!”

“Nuk janë për mua mbledhjet”, u thashë. Ditën tjetër e nisa nga stoli. U futa në fushë në minutën e 63- të kur po humbnim 2-0. Shënova dy gola me asiste të Loran Blank dhe Zhoslin Angloma. Kishim kapiten Erik Kantona, që u tregua shumë i mirë me mua pas ndeshjes.

Kush ishte Zidan në moshën 10-vjeçare?

Një i sëmurë pas futbollit. Kur isha 14 vjeç, kam parë Botërorin e Meksikës dhe u dashurova me Maradonën. Më magjepste. Të gjithë mbajnë mend dy golat e tij të jashtëzakonshëm kundër Anglisë në fitoren 2-1 në çerekfinale, por nuk përmendin fitoren 2-0 të Argjentinës kundër Belgjikës. Aty Maradona ka qenë thjesht madhështor.

Kush ishte idhulli juaj?

Enzo Françeskoli. Ishte uruguaian që e nisi te Matra Rasing dhe më pas te Marseja. E kisha idhull dhe imitoja çdo gjë që bënte ai. Analizoja çdo gjë që bënte. Kam dashur edhe Blaz Slishkov dhe Zhan Pier Papin. Por teknikisht Françeskoli ishte madhështor dhe unë fjeta një herë me bluzën e tij, fiks pasi i shkëmbyem në fund të finales së fituar të Kupës Interkontinentale, Juve-River, më 1996 në Tokio.

Kur menduat fillimisht të tërhiqeshit nga kombëtarja?

Kur isha 32 vjeç, në vitin 2004. Por pasi shkova me familjen me pushime dhe e pashë që kisha ende mundësi fizikisht t’i përballoja ngarkesat, vendosa të kthehesha në kombëtare.

Cila ka qenë ndeshja më e vështirë me kombëtaren?

Kundër Brazilit në vitin 2006. Pësova një dëmtim të rëndë kundër Spanjës, madje pikërisht pasi kisha shënuar golin e tretë. Kisha dhimbje të forta dhe shkova të vizitohesha. Mjekët më thanë që ishte e rëndë dhe nuk mund të luaja. Nisa të ulërija: “Çfarë po thoni, nuk ka shanse të mungoj kundër Brazilit. Bëni çfarë të doni, unë do jem në fushë”. Ata bënë sa mundën, por unë nisa të kisha dhimbje që në nxehje. Ishte torturuese.

Si i përjetonit ndeshjet me kombëtaren?

Gjithnjë kam luajtur sikur ajo të ishte e fundit për mua. Për këtë arsye nuk besoj se kam luajtur ndonjëherë nën mesataren time.

Po për “Panenkën” kundër Italisë në finale çfarë mund të na thoni?

Ishte vetëm minuta e 7-të dhe mendova: “Po e provoj një herë”. Edhe nëse gaboj kemi edhe 83 minuta për të shënuar. Nuk kisha bërë kurrë një goditje “Panenka”, por nuk është mungesë respekti. Është një mënyrë të shënuari.

Pse e goditët Materacin me kokë?

Shikoni, atë ditë para ndeshjes mora vesh se nëna ime nuk kishte qenë mirë me shëndet. Madje as në telefon nuk kisha mundur të flisja, por pata komunikuar disa herë me motrën time. Unë u përpoqa të isha i përqendruar te finalja dhe hyra në fushë shumë i vendosur. Është e vërtetë që Materaci nuk më shau nga nëna, por më ofendoi nga motra ime, Lila. M’u errësuan sytë, sepse edhe presioni bën të vetën.

Fyerjet kishin nisur shumë kohë më parë, sepse duhet të jemi të sinqertë: në fushë shahet gjithnjë. Mirëpo kur ai më përmendi motrën dhe pastaj u largua menjëherë, nuk më mbajtën nervat. Natyrisht, nuk jam krenar për atë që ndodhi, por është pjesë e karrierës sime. Atëherë isha më i brishtë. Mbaj mend komentatorin e ndeshjes që thoshte: “Jo kështu…”. Po, e di që nuk mund ta mbyllja ashtu, por ama disa e kanë harruar që kam shënuar 2 gola në finalen e vitit 1998. Prandaj dua të kthehem te Franca, sepse nuk mund ta mbyll me kombëtaren pas atij të kuqi.

Si i keni menaxhuar yje si Benzema dhe Ronaldo?

Është shumë e thjeshtë: Ti je trajneri dhe rregullat i vendos ti, por kurrë mos u tall me yjet e skuadrës dhe mos bëj shaka me ta. Mos ua prek sedrën asnjëherë, sepse në fushë janë ata që e bëjnë diferencën. E kam ditur këtë që lojtar dhe e kam pasur gjithnjë si moton time gjatë kohës si trajner.

Çfarë është Benzema për ju?

Është si një vëlla i vogël. Ai ka një potencial të jashtëzakonshëm, por edhe vullnet prej çeliku. Ishte i vetmi te Reali që qëndronte edhe 30 minuta pas çdo stërvitjeje për të përmirësuar cilësitë dhe shënjestrën. Asnjë tjetër nuk e bënte. Jemi shumë miq, megjithëse tani shkëmbejmë më pak mesazhe.

Cilat janë momentet më të bukura si trajner?

Goli i Bejlit në finalen e Champions-it kundër Liverpulit… Goli i Ronaldos kundër Juventusit me roveshatë në Torino. Por më emocionuesi është goli i Ronaldos kundër Romës, kur fituam 2-0 në vitin 2016 në fazën e 1/8-ave. Shënoi dhe erdhi me vrap tek unë. M’u hodhën të gjithë sipër. Oh Zot, çfarë ndjesie!

Arena e Lajmit


Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×