“E ul me 10 lekë dhe e rrit me 120”/ Deputeti i PD: Bordi dhe qeveria me dy fytyra, ndjekin dy standarde me çmimet e bursës për të vjedhur shqiptarët

Dashnor Sula

Një tjetër reagim i ashpër ka ardhur nga radhët e Partisë Demokratike lidhur me vendimin e Bordit të Transparencës për të rritur çmimin e naftës në vend me 12 lekë dhe të benzinës me 4 lekë, në një kohë që çmimi për fuçi në bursën ndërkombëtare është në rënie të vazhdueshme.

Kështu, deputeti Dashnor Sula, i cili kërkoi nga Bordi që kryente një ulje të  naftës në vlerën 220 lekë/litër ose nën të, gjatë javës së shkuar, akuzon këtë organ dhe qeverinë se veprojnë me dy fytyra vetëm për të vjedhur shqiptarët.

Sula nënvizon se edhe Ministria e Financave ka dalë në krah të oligarkëve, duke akuzuar ekspertët dhe ekonomistët e fushës kur konstatojnë se çmimi që vendos Bordi është një vjedhje e pastër në kurriz të qytetarëve.

Postimi i Dashnor Sulës:

Qeveria me dy fytyra që vjedh shqiptarët! Në dy javët e kaluara çmimi i karburantit në tregun ndërkombëtar, në bursë shënoi një rënie të theksuar duke shkuar në nivelet e para luftës në Ukrainë. Por bordi i vjedhjes së shqiptarëve nuk e çoi për asnjë ditë çmimin e naftës me pakicë nën 2200 lekë të vjetër për litër naftë. Nuk mblidheshin por edhe kur mblidheshin bënin ulje qesharake me 10 lek të vjetër.

Ndërkohë ministrja e Financave në mënyrë të vazhdueshme i ka dalë në mbrojtje interesit të oligarkëve dhe akuzonte ekonomistët, ekspertët e hidrokarbureve, neve përfaqësuesve të popullit se ngatërronim çmimin në bursë të naftës së përpunuar me atë të papërpunuar. Të gjithë ekspertët, ekonomistët, politikanët e tjerë që kërkonin uljen e çmimit të naftës si reflektim i bursës, ishin injorantë vetëm qeveria ishte “gjeniu” që bënte përllogaritje të sakta.

Por përkundër argumentit të ministres del sërish Bordi i vjedhjes së qytetarëve. Dy ditët e fundit i njëjti burim që të cilit i jemi referuar kur është ulur çmimi në bursë, ka treguar një rritje të lehtë të çmimit. Por këtë herë Bordi nuk bëri sikur nuk e pa, por u mblodh sot dhe nuk bëri rritje njësoj siç e ulte me 10 lek të vjetër, por e rriti me 120 lekë të vjetër. Çmimi i naftës sot në pikat me pakicë shitet me 2390 lekë të vjetër për litër nga 2270 lekë për litër që shitej pak ditë më parë.

Kjo është vjedhje e hapur ndaj qytetarëve. Është absurditet që do tu kthehet në bumerang të pangopurve të qeverisë dhe oligarkëve. Duke rritur çmimin, qeveria mbush arkat e shtetit për të mbyllur gropat evazive, njëkohësisht fitojnë edhe oligarkët e naftës me përqindjen e marzhit të fitimit. Të vetmit që humbasin janë shqiptarët. Qytetarët e ndershëm që jetojnë me djersën e ballit. Ndaj ne shohim çdo ditë e më shumë shqiptar që largohen nga ky vend. Në fakt nuk duhet të ikin shqiptarët, duhet të largohen dhe të vendosen para drejtësisë ata që vjedhin dhe që abuzojnë.

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×