Sezoni i kaluar i Realit të Madridit mund të përmblidhet fare mirë në dy imazhe që janë kthyer në ikonë. Njëra paraqet euforinë në klubin e bardhë, tjetra kënaqësinë. Bëhet fjalë për foton e David Alabasë me karrige në duar pas suksesit kundër Paris SG-së. Tjetra është fotoja e Ançelotit duke tymosur një puro i shoqëruar nga treshja braziliane Vinicius, Militao e Rodrigo.
Emëruesi i përbashkët në të dyja rastet është suksesi i Realit të Madridit, që në sezonin e kaluar arriti të fitonte tre trofe, Ligën e kampioneve, Ligën spanjolle, si dhe Superkupën e Spanjës.
La Liga si dhe Liga e Kampioneve ishin të një rëndësie të veçantë për trajnerin italian. Ai u bë i pari trajner në historinë e Ligës së Kampioneve që fiton 4 herë kupën me veshë të mëdhenj, duke lënë pas Zinedin Zidanin dhe legjendën e Liverpuli, Bob Paisli.
Po ashtu ai u bë i pari trajner në Europë që fiton 5 kampionatet më të forta në kontinent, Serinë A me Milanin, Premier Ligën me Çelsin, Ligën franceze me Paris SG-në, Bundesligën me Bajernin dhe La Ligën me Realin e Madridit. Por rekordet e Ançelotit nuk mbarojnë këtu. Një tjetër i është shtuar teknikut nga Rexhiolo.
Ai është kthyer në trajnerin me më shumë fitore në shekullin XXI duke llogaritur kampionatet më të forta në Europë, si dhe Kupat e Europës. Ançeloti e nisi sezonin te Reali i Madridit në vendin e dytë, pas Arsen Vengerit që numëronte 588 suksese. Por 39 fitoret e arritura prej Ançelotit me fanellën e Realit në të gjitha kompeticionet e bënë atë teknikun më të suksesshëm.
39 fitoret e Karletos u shoqëruan dhe nga 3 trofe, përkatësisht titujt numër 20, 21 dhe 22 për të në karrierën e gjatë si teknik. Ai ka barazuar Zhoze Murinjon në vendin e dytë, teksa në krye të trajnerëve me më shumë trofe të fituar qëndron Pep Guardiola me 31 të tillë.
Mes emrave të mëdhenj Ançeloti ka lënë pas edhe legjendën e Mançester Junajtidit, Sër Aleks Ferguson si dhe të tjerë emra shumë të rëndësishëm në botën e trajningut si Murinjo, Guardiola, Klop, Rafa Benitez, Unai Emeri, Manuel Pelegrini e Pablo Simeone. Sa u përket përqindjeve të fitoreve për ndeshje, në krye të listës qëndron Pep Guardiola.
Tekniku aktual i Sitit ka fituar 74% të ndeshjeve si trajner, duke lënë pas Fergusonin (64.9%), Murinjon (62,1%) dhe Ançelotin me 60,4%. Por tekniku italian i Realit ka vendosur një rekord të vetin personal.
Karlo Ançeloti ka fituar 73,1% të ndeshjeve duke qenë trajner i Realit të Madridit në të dyja etapat e tij në “Bernabeu”.
Para tij qëndron vetëm Manuel Pelegrini me 75% në sezonin 2009- 2010. Në këtë mënyrë Ançeloti te Reali ka përmirësuar të gjitha shifrat e tij, teksa përqindja e suksesit me Bajernin ishte 71.7, Parisin 63.6, Çelsin 62.4, Milanin 59.9, Juventusin 55.3, Napolin 52, Parmën 48.3 dhe Evertonin 46.3.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – Arena e Lajmit

Loading…