Thuajse në çdo sezon Kukësi ka pasur në përbërje sulmues të huaj, prej të cilëve janë varur shpesh edhe fatet e golit në skuadër. Kështu do të jetë edhe këtë vit, që ekipi drejtohet nga Skënder Gega.
Në sulm është afruar kroati Ante Zivkoviç, i cili luan si pykë e mirëfilltë. Historia me sulmuesit kroatë duket se ka ecur mirë deri më tani, teksa mjafton të përmendim golashënuesin më të mirë të historisë së Kukësit, drejtorin aktual, Pero Pejiç, i cili me verilindorët ka shënuar plot 68 gola. Për të shkuar më tej edhe te lojtari i sezonit të fundit, Edi Basha, i cili është golashënuesi më i mirë në aktivitet i skuadrës, me dhjetë gola të shënuar në kampionatin e kaluar.
“Panorama Sport” u ka bërë një vëzhgim golave “të huaj” në skuadrën e Kukësit përgjatë kësaj dekade në elitë, duke u bazuar te të dhënat zyrtare. Në këtë listë nuk janë përfshirë lojtarët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Nga vëzhgimi bie në sy se kanë shënuar lojtarë nga 14 shtete të ndryshme për Kukësin, me plot 38 futbollistë nga këto 14 vende.
GOLAT KROATË
Në total, gjashtë lojtarë kroatë kanë arritur të shënojnë plot 92 gola, duke treguar në njëfarë mënyre se sulmuesit ballkanas kanë ditur të përshtaten mjaft mirë te Kukësi edhe në futbollin shqiptar. Jo më kot, golashënuesi më i mirë i historisë është Pero Pejiç dhe ai aktuali, Edi Basha, që të dy kroatë.
Shpresat janë që edhe Ante Zivkoviç, i cili ka ardhur për të bërë bomberin në klubin verilindor, të ketë po të njëjtin efikasitet si bashkëkombësit e tij. Në sezonin e kaluar Kukësi vuajti shumë për një sulmues tipik goli, sepse Edi Basha që shënoi më shumë se të gjithë (10), luan nga krahët e ofensivës.
GOLAT E TJERË
Pas kroatëve, vijnë brazilianët, që kanë lënë shenjë me 55 gola në total. Bëhet fjalë për 12 futbollistë nga vendi i “sambës” që së bashku kanë realizuar këta gola, por që për fat të keq, askush nuk ka spikatur me rrjetat e veta.
Podiumi i golave të huaj mbahet nga serbët, të cilët kanë arritur të bëjnë 34 realizime me tre lojtarë të ndryshëm. Për të vijuar më pas me 21 golat e nigerianëve dhe 20 të mozambikasve, ku të gjithë i ka shënuar Rexhinaldo. Lista vijon deri edhe me shtete të tjera, për t’u mbyllur me një gol moldav, pikërisht ai i sulmuesit Artium Puntus që shënoi në sezonin e kaluar në Shkodër.
GOLAT SHQIPTARË
Megjithatë, as golat shqiptarë nuk kanë munguar dhe bëjnë pjesën më të rëndësishme të rrjetave të shënuara për Kukësin. I pari në listë është qendërsulmuesi Vasil Shkurtaj me 32 rrjeta, i ndjekur nga Sindrit Guri me 30 dhe Sokol Cikalleshi me 22 gola të shënuar.
Listës i shtohen edhe shumë të tjerë, por kjo treshe është ajo që ka lënë më shumë gjurmë ndër futbollistët nga vendi ynë që kanë tundur rrjetën për llogari të Kukësit që kur skuadra u fut në elitë 10 vite më parë.
VËZHGIMI
SHTETI GOLAT LOJTARË
KROACI 92 6
BRAZIL 55 12
SERBI 34 3
NIGERI 21 2
MOZAMBIK 20 1
GJEORGJI 8 2
GANË 7 1
KAMERUN 5 1
AZERBAJXHAN 4 1
GUINE 4 3
ARGJENTINË 3 1
BOSNJË 3 2
MAL I ZI 2 2
MOLDAVI 1 1
TOTALI 259 38
GOLAT SHQIPTARË
VASIL SHKURTAJ 32
SINDRIT GURI 30
SOKOL CIKALLESHI 22
VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit

Loading…