
Në rubrikën “Opinion”, në News24, akademiku i njohur Artan Fuga ka komentuar hetimin e nisur nga SPAK për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Fuga theksoi se “nuk ka asnjë koment” për hetimin në thelb pasi është çështje që duhet ta vërtetojë drejtësia nëse vlen ose jo.
Por, akademiku shtoi se faktet në kërkesë-padinë për Metën janë të vjetra dhe kjo ngre pikëpyetje për arsyen pse kundërshtarët e tij politik, apo qytetarë të thjeshtë nuk e kanë ngritur denoncimin në kohën kur ai ushtronte funksion publik, siç është detyra e Presidentit të Republikës.
“Sa kohë zoti Meta nuk shfaq ambiciet e tij politike dhe synimet e tij për një forcë politike, këto çështje nuk ngrihen. Asnjeri nuk bën deponim, asnjë palë nuk interesohet për këtë. Në momentin kur një aktor politik nis e krijon një projekt opozitar dhe ka synime për qeverisjen në atë moment dalin edhe këto elementë”, konstatoi Fuga.
SPAK ka nisur një hetim ndaj Ilir Metës dhe ka kërkuar informacion të detajuar nga KQZ dhe Gjendja Civile, pas një padie nga ish-deputeti Halit Valteri për një lobim në SHBA.
Asnjë koment. Asnjë koment dhe mendoj që edhe gazetarët edhe analistët, edhe ne të tjerët që interpretojmë aktualitetin, s’kemi ça ti analizojmë një çështje që është në duart e drejtësisë. Për të hyrë në thelbin e çështjes s’di të bëjë asnjë koment, madje e konsideroj të dëmshme që analistët komentojnë në ajër, për aq sa jep teksti i denoncimit.
Kam komente për një drejtim tjetër. Komenti im është se këto janë fakte të vjetra, në një kontekst të caktuar. Pra sa kohë që zoti Meta është presidenti i Republikës, heshtnin për këto, asnjeri nuk i denonconte këto. Dhe sa kohë zoti Meta nuk shfaq ambiciet e tij politike dhe synimet e tij për një forcë politike, këto çështje nuk ngrihen. Asnjeri nuk bën deponim, asnjë palë nuk interesohet për këtë. Në momentin kur një aktor politik nis e krijon një projekt opozitar dhe ka synime për qeverisjen në atë moment dalin edhe këto elementë.
Po tentohet të pengohet opozita e re?
Unë s’po them asgjë.
Analiza juaj këtë dedukton në fakt?
Analiza ime thotë këtë. Sigurisht që janë penguese në politikë. Por a janë të vërteta ose jo janë pjesë e hetimit të organit të drejtësisë. A janë penguese a jo, normale që janë, por në Shqipëri deri më sot organet e drejtësisë nuk kanë vënë para përgjegjësisë një njeri me pushtet aktual. Edhe ata njerëz të cilët goditen për korrupsion nuk janë asnjëherë në pushtet. Ose kanë ikur nga një vend sensitiv, ose kanë ikur nga politika, ose nuk janë më pjesë e qeverisjes dhe kjo mua dhe opinionit publik i krijon këtë idenë se korrupsioni i njerëzve që ushtrojnë qeverisjen nuk shihet. Duhet të themi se SPAK-u ka dhe çështjen inceneratorëve.
Arena e Lajmit