Pa nisur mirë aventurën e tij në krye të Çelsit, pronari i ri i klubit, Tod Bohli, është detyruar të përballet me opinione aspak të këndshme për ndërmarrjen e tij të re.
Për më shumë që lajmet tronditëse vijnë nga nga SHBA-ja. Ka qenë gazeta amerikane “New York Times”, e cila ka bërë një hetim në lidhje me atmosferën që mbizotëron në klubin londinez përpara se në krye të klubit të vinte investitori amerikan.
Bohli investoi 4.25 miliardë euro për të marrë drejtimin e klubit pas largimit të Roman Abramoviçit.
Ka qenë pikërisht administrata e Çelsit në kohën e Abramoviçit në fokusin e hetimit të gazetës në fjalë.
Sipas gazetës amerikane, një duzinë punonjësish kanë denoncuar episode problematike, bullizëm dhe kërcënime të ndryshme, që i shtohet këtyre dhe vetëvrasjes së Riçard Biguell, ish-numri një i “Chelsea TV”.
Në fakt, vetëvrasja e Biguell, e ndodhur në janar të këtij viti nuk del e qartë, qoftë dhe nga hetimi i gazetës amerikane.
Por mendohet se ajo mund të jetë rrjedhojë e presioneve të ndryshme mbi punën. Ajo që është e qartë qëndron në faktin se Biguell ishte shkarkuar nga puna në shtator të vitit 2021, pasi kishte kaluar një periudhë të errët në fushën e marketingut në klub.
Kësaj i shtoheshin dhe problemet shëndetësore të ishdrejtorit të televizionit të klubit londinez.
Ka mjaftuar vdekja e tij që të shpërthejë dhe kutia e Pandorës në klubin londinez, veçanërisht në lidhje me kushtet e punës që mbizotëronin në “Stamford Bridge”, veçanërisht në sektorin e marketingut që drejtohej nga Geri Tuellvetri.
Menaxhimi i tij duket se ka lënë shumë për të dëshiruar, madje ka qenë përtej çdo limiti.
Të paktën kështu ka bërë me dije gazeta amerikane në hetimin e saj. “New York Times” ka grumbulluar informacion të bollshëm nga rrëfimet e shumë prej 50 punonjësve në këtë sektor të klubit londinez.
Disa prej tyre kanë rrëfyer për gazetën amerikane se janë ndier të kërcënuar, disa të tjerë të poshtëruar, madje edhe shumë të frikësuar.
Gjithashtu gazeta ka rrëfyer se disa prej tyre kanë shfaqur shenja sëmundjeje si pagjumësi, ankth.
Kjo i ka detyruar ata të largohen nga puna për të gjetur një tjetër sistemim.
Në mars të këtij viti përpara ndryshimit të pronësisë, klubi kishte urdhëruar një hetim të brendshëm mbi situatën, por që ka qenë vetëm një spektakël i kotë.
Tani pronarët e rinj kanë vendosur të ndryshojnë tërësisht klimën në klub, për të krijuar një ambient më bashkëpunues e pozitiv, nënvizon gazeta amerikane.
Arena e Lajmit

Loading…