Sinan Idrizi i kërkon Këshillit Bashkiak të Vlorës të mblidhet gjatë këtij muaji. Administratori vendos në dispozicion stadiumin, ndërsa datën dhe orën ua lë në dorë këshilltarëve. Objekt i mbledhjes është marrja e përgjegjësive nga pushteti vendor. Për “Panorama Sport”, ai thekson se duhet t’i japin zgjidhje bllokimit të tri llogarive bankare.
“Kërkoj një mbledhje të Këshillit Bashkiak këtë muaj. Le të vijnë të gjithë këshilltarët në ambientet e stadiumit. Të zhvillojmë një mbledhje sikundër e kemi bërë çdo vit.
Të flasim gjerë e gjatë për Flamurtarin. Unë u kam dalë ballë vetë detyrimeve të mia, por nuk kam vetëm unë detyrime. Flamurtari është i të gjithëve, kështu që të gjithë duhet të marrin përgjegjësitë për skuadrën.
U bëj thirrje të caktojnë një datë këtë muaj për zhvillimin e mbledhjes dhe të vijnë në stadium. Duhet të marrin disa vendime të rëndësishme për skuadrën dhe të ardhmen e klubit.
Le t’i rrahim këtu ‘në shesh të burrave’ idetë, mendimet dhe opinionet. Nuk mund t’i mbaj unë të gjitha përgjegjësitë dhe mbi të gjitha kur nuk më përkasin mua.
Për shkak të detyrimeve të prapambetura ne nuk kryejmë dot pagesat, jo se nuk kemi lekë, por kemi plot tri llogari bankare të bllokuara.
Ndaj unë pres me padurim zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak në stadium. Të vijnë këshilltarët e të dëgjojnë problematikat që unë kam. Të vijnë këtu e të na japin zgjidhje”, u shpreh fillimisht administratori.
VENDOSMËRIA – Sinan Idrizi është i vendosur që të mos paguajë as numrat e telefonit erotik, por as qiratë e shtëpive për ish-trajnerët e Flamurtarit, ndaj kërkon që përgjegjësitë të merren nga këshilli.
“Është çudi e madhe, sinqerisht. Të paguash numrat erotikë të të tjerëve, të cilët nuk kanë qenë të mitë, nuk është aspak normale dhe e logjikshme.
Nuk mund të paguaj unë shtëpitë e ish-trajnerëve apo kartat e abonimit ‘Digitalb’ të tyre. Jo, nuk ka më shanse. Të vijnë këshilltarët t’i japin drejtim. Unë njoh të gjitha detyrimet e mia në vazhdim.
Nuk i kam marrë një dollar shtetit dhe bashkisë që kur kam ardhur te Flamurtari, por jo kështu. Nuk mund të mbaj unë një faturë që nuk më përket mua. Ta zgjidhë Këshilli Bashkiak këtë çështje”, përfundoi numri një i klubit
– Arena e Lajmit

Loading…