Pas 5 vitesh mungesë, Lushnja do të tentojë rikthimin në elitë. Xhavit Sefa mendon se ka ardhur koha që të dalin nga monotonia dhe me Klodian Duron kanë vërtet shanse. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri i verdhejeshilëve analizon lëvizjet e fundit në klub dhe pritshmëritë.
Ka vetëm një merak me merkaton dhe paralajmëron se duhen investime. Ai i kujton klubit që nuk mund të kapet Superiorja me lojtarë që marrin vetëm rroga…
Klodian Duro u emërua trajner i Lushnjës. Si e komentoni këtë lëvizje në pankinë?
Ardhja e Klodian Duros më jep përshtypjen se Lushnja do të ndërtojë një skuadër shumë të fortë dhe pretendente për Superioren. Kemi marrë ish-trajnerin e Kukësit dhe një “po” mes palëve do të thotë që do të kemi një Lushnjë me pretendime të mëdha. Besoj se ai në krye do të lërë gjurmë te Lushnja. Do të rikthejë skuadrën në elitë.
Nuk është hedhur asnjë hap në ndërtimin e ekipit. Ka vend për shqetësim?
Po, patjetër. Tani besoj se po krijohet situatë e shëndoshë financiare. Pra, bëhet fjalë për financat e bashkisë që janë të ligjëruara, të garantuara dhe për financat e donatorëve. Që të pretendosh, klubi duhet të funksionojë në marrëdhënie donacioni. Kjo është pesha kryesore financiare për Superioren. Që t’i jepet mundësia trajnerit për të ngritur një skuadër shumë cilësore.
Grupi që mbylli vjet sezonin, a ju bind?
Lushnja ka dy vjet që luan me futbollistë të niveleve të Kategorisë së Parë dhe të Dytë. Duke përjashtuar 2-3 elementë, pjesa tjetër nuk u përgjigjet niveleve të Kategorisë së Parë. E para është që Lushnja vetë nuk prodhon futbollistë, pra nuk furnizohet nga poshtë. E dyta, klubi nuk ka mundësi financiare të afrojë futbollistë cilësorë të tregut. Nuk mund të pretendosh me futbollistë me rroga. Pretendimet vijnë kur kontigjenti ka futbollistë të tregut, të kësteve të kontratës.
Mendoni se janë pak të vonuar me ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri?
Unë shikoj që Flamurtari, Skënderbeu, Dinamo kanë ecur me afrimin e lojtarëve. Lushnjës i duhet të çajë midis kësaj tresheje. Gradualisht, duhet të fillohet me afrimin e lojtarëve të niveleve të larta. Lojtarë të kompletuar në nivel individual, të aftë për t’u lidhur në nivel reparti.
Lushnja ka pesë vjet në Kategorinë e Parë, madje në dy vitet e fundit ka rrezikuar edhe mbijetesën. A do të jetë ky viti i duhur për të kapur elitën?
Mendoj se duhet prishur kjo monotoni. Kjo gjë bëhet nëpërmjet donacioneve dhe sponsorizimeve, që kontingjenti i futbollistëve të transformohet nga lojtarë të niveleve nënmesatare apo të ulëta në lojtarë të niveleve mbi mesatare apo dhe të larta.
A fitoi diçka ekipi nga kampionati i fundit?
Unë e përgëzoj trajnerin Canaj, që e realizoi objektivin. Lushnja shpëtoi nga katastrofa. Ndërtoi një skuadër midis asaj që gjeti dhe asaj që mori. Pati një sukses të madh. 28 pikë për një fazë nuk janë pak. Lëvizjet e shpeshta të pankinës nuk bëjnë mirë në aspektin teknik. Canaj e njohu ambientin. Besoj se ndryshimi ka pasur si qëllim freski dhe ndërtimin e një tjetër skuadre me synime madhore.
Lushnja do të ketë pamje tjetër edhe në infrastrukturë, ndonëse punimet kanë ngecur. A rrezikojnë që të luajnë jashtë në nisje të sezonit?
Lushnja është një klub 92-vjeçar i dokumentuar. Kishte një infrastrukturë të rrënuar. Kryetarja e bashkisë ndërmori një nismë shumë pozitive, ndaj unë mendoj që punimet nuk duhet të zvarriten. Lushnja po i bën fushat, por investimi duhet të përfundojë. Besoj se do të ndodhë shpejt.
– Arena e Lajmit

Loading…
Loading…