Standardi i ulët, elita është “degdisur” poshtë/ Ngjiten ekipe transit, prodhimi i lojtarëve të rinj në zhdukje

Duke u nisur nga këndvështrimi i disa personaliteteve të futbollit shqiptar ndër vite në lidhje me debatin e kampionatit të vitit 1967 ku binin në sy ekipet që garonin në atë vit, pothuajse të gjithë ranë dakord në një pikë: klubet me traditë në futboll nuk mund të anashkalohen dhe nuk mund të jenë në atë gjendje që janë sot.

KATEGORIA-SUPERIORE logo

Me gjithë respektin për klubet e tjera, por qytetet elitare të futbollit nuk mund të shihen aty ku janë sot që flasim. Është thënë shumë herë dhe është diskutuar që nëse elita e futbollit të një vendi reduktohet në këtë formë, siç është reduktuar në Shqipëri në vitet e fundit, presupozohet që kjo ta forcojë kampionatin shqiptar, të rrisë cilësinë, të rrisë të ardhurat, të prodhojë më shumë lojtarë, ta bëjë më tërheqës për dashamirësit e futbollit, të ketë një marketing më të mirë.

KAMPIONATI I 67 DHE 2023

Epo kjo nuk ka ndodhur, asgjë nuk është përmirësuar dhe madje është përkeqësuar. Mjafton të shohësh numrin e tifozëve në stadiume kur luhet kampionati vendas si dhe të shohësh se sa të ardhura gjenerojnë sot klubet shqiptare.

STANDARDI I ULUR

Një pjesë e mirë e klubeve elitare: Dinamo, Flamurtari, Skënderbeu, Besa, Apolonia, Lushnja, Tomori, që sot janë në Kategorinë e Parë, e kanë gjithmonë edhe më të vështirë që të prodhojnë lojtarë për ekipet kombëtare, sepse, duam apo s’duam, dalin jashtë vëmendjes dhe ai kampionat atë vlerë dhe produkt ka.

Klubet që janë ngjitur lart, në Superiore, një pjesë e tyre nuk janë në formatin e Kukësit, që ka bërë një investim konstant dhe të bollshëm, pavarësisht se si menaxhohet. Kukësi është në një nivel me Tiranën dhe Partizanin, si nga investimi, nga trajnerët dhe lojtarët që merr, si dhe ka bërë edhe stadiumin e ri. Pra, nëse të gjitha këto ekipe që ngjiten, nëse janë me këtë model, atëherë “mirë se të vijnë”.

Apo, qoftë edhe Egnatia, që ka një lloj serioziteti dhe dëshirë në futboll. Por kur shohim klube që nuk kanë një projekt konkret dhe halle pa fund? Mund të përmendim Kastriotin, Erzenin. Po ku shkon kështu kampionati shqiptar? E para, nxjerrja e lojtarëve të rinj është shumë e vështirë; e dyta, standardi është ai që ulet, por edhe tregu për lojtarët shqiptarë, ulet konkurrenca midis klubeve për të pasur ofertat e duhura dhe një marketing më të mirë. Blerjet brenda kampionatit midis skuadrave pothuajse nuk ekzistojnë.

Nëse marrim Tiranën dhe Partizanin, dy ekipe të fuqishme, atëherë ato mund të blejnë brenda kampionatit, ndërkohë që ne me këtë skemë prej 10 ekipesh, importojmë çdo vit edhe më shumë lojtarë nga Maqedonia, Mali i Zi dhe shtete të tjera.

U nis një standard në shitje, me Piter Olainkën, me Berishën, me Latifin, Gurin dhe në vend që ky standard të ruhej dhe të rritej, përkundrazi, ai ulet dhe nuk po shiten më lojtarë me vlerë të lartë. Pse? Sepse janë këto klubet me traditë që ndodhen në këtë gjendje aty ku janë dhe e kanë pothuajse të pamundur për të nxjerrë lojtarë.

tensioni

PERFORMANCA NË EUROPË

Një rrëshqitje totale në pesë vitet e fundit, aq sa në renditjen e UEFA-s kampionati shqiptar renditet në vendin e 47-të nga 55 kampionate që janë gjithsej në listë. Malta, Estonia, Ishujt Faroe, shtete modeste në futboll, por kanë një koeficient më të madh se ne, për të mos përmendur Kosovën që ka shkuar shumë sipër nesh, duke u pozicionuar në vendin e 34-t dhe ka një infrastrukturë të dobët në futboll në krahasim me ne.

KRISTI SEJATLLARI – Arena e Lajmit


Loading…

Loading…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×