Mbrojtësi i majtë i Vl laznisë dhe një nga lojtarët që luajti më shumë minuta për kuqeblutë në sezonin e shkuar, Esin Hakaj, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pohoi se ekipi po bën një punë të mirë gjatë kësaj periudhe.
Ai vlerëson përgatitjet në fushë dhe afrimet e kryera në merkato. 25-vjeçari kërkon që pas Kupës të shijojë edhe titullin kampion me Vllazninë. Edhe pse nuk e njohin mirë kundërshtarin rumun në Ligën e Konferencës, Hakaj beson te kualifikimi i mundshëm ndaj Universitatetas. Sipas mbrojtësit, ky mision nuk do të jetë i lehtë, për vetë diferencat që kanë klubet, por jo i pamundur.
Esin, po zhvilloni një minifazë përgatitore në Austri me Vllazninë. Si janë kushtet dhe çfarë ngarkese po merrni atje?
Kushtet janë teje optimale. Nuk na mungon asgjë për të dhënë më të mirën tonë. Ngarkesa natyrisht që është e lartë, por kjo do të na vlejë për vazhdimësinë tonë.
Po gjendja e skuadër gjatë këtyre përgatitjeve për turin e dytë të Ligës së Konferencës, cila është?
Mendoj se është shumë e mirë. Po punojmë shumë, me nga dy seanca në ditë, dhe besoj se do të jemi gati për takimet ndaj Universitateas dhe më pas për sezonin e ri.
Sa mund të ndikojnë në lojën e ekipit disa nga lojtarët e larguar?
Mendoj se kemi pasur një ekip të mirë sezonin e kaluar, por bëmë më të mirën në kampionat. Më vjen keq që nuk janë sërish Krymi me Adilin, lojtarë që kanë dhënë më të mirën e tyre te Vllaznia. Por, futbolli është i tillë. Gjithsesi, baza është ruajtur.
Si i shikoni ndryshimet e bëra nga drejtuesit nga sezoni i kaluar?
Mendoj se të gjithë lojtarët që kanë ardhur janë futbollistë me cilësi të mira. Unë jam i mendimit se do të kemi një ekip të mirë dhe shumë konkurrues në sezonin e ri, duke filluar nga Europa.
Më 21 korrik luani takimin e parë ndaj Universitateas Krajovës. Sa e njihni kundërshtarin?
Nuk dimë ende shumë për to, por jemi duke i studiuar dhe natyrisht që do t’i analizojmë mirë.
A ka besim në skuadër për kualifikimin ndaj rumunëve?
Ne jemi optimistë dhe besimi nuk na mungon. E dimë që kundërshtari është i një niveli të fortë, por kjo nuk na tremb. Edhe ne kemi cilësitë tona dhe kemi besim te vetja.
Si e shikoni, në syrin tuaj, Vllazninë në sezonin e ardhshëm?
Mendoj se do të kemi sërish një skuadër të mirë dhe konkurruese. Ekipi ka në përbërje lojtarë me përvojë dhe djem të rinj, të cilët do të përdorin freskinë e tyre në dobi të ekipit. Gjithashtu, kemi një staf profesionist. Unë besoj se do të arrijmë rezultate shumë të mira.
Pas fitimit të Kupës, e imagjinoni veten kampion me Vllazninë?
Normalisht që dëshira është e madhe. Mendoj se është shumë herët për të folur për të, por nuk e fshehim objektivin madhor, fitimin e titullit, dhe atë minimal, pjesëmarrjen në Kupat e Europës.
ADMIR URUÇI – Arena e Lajmit

Loading…
Loading…