Ardit Beqiri, ish-kapiteni i Partizanit për disa sezone pas viteve 2000, në një intervistë për “Panorama Sport” i ka bërë një skaner merkatos së ekipit të kuq, por jo vetëm.
Ish-mbrojtësi i majtë e sheh disi më të avantazhuar Partizanin në duelin e nesërm ndaj Saburtalos. Beqiri flet gjithashtu për ardhjen e Hotit dhe pozitat e Alban Hoxhës te “demat”. Sipas tij, kapiteni aktual nuk është në “kilometrat” e fundit te të kuqtë.
Si ju duken rezultatet e Partizanit në ndeshjet miqësore gjatë fazës përgatitore në Slloveni?
Duke pasur parasysh kundërshtarët që Partizani kishte përballë, kanë arritur rezultate të mira në miqësore, por pavarësisht se mund të tregojnë diçka, asnjëherë këto sfida nuk janë marrë si një pikë referimi.
Ndeshjet e fazës përgatitore nuk merren për bazë, përgjithësisht për shkak të lodhjes dhe ngarkesës fizike, por megjithëse edhe pas këtij intensiteti stërvitjeje kanë arritur të bëjnë mirë, mund të themi se duket situatë pozitive.
Çfarë përshtypjeje ju krijojnë afrimet e bëra deri më tani?
Duke parë lojtarët që kanë ardhur deri më tani dhe emrat e mëdhenj në mesfushë, kam përshtypjen se ekipi po ndërtohet sipas “gustove” të trajnerit, një ekip fizik. Mehmeti e bazon lojën në fitimin e dueleve në mesfushë dhe te lojtarët që vrapojnë shumë. Nuk e di saktësisht, sepse nuk jam në brendësi, por kam përshtypjen se gjithçka është ndërtuar sipas ideve që trajneri ka për skuadrën.
A është zëvendësuar boshllëku i lënë nga largimet e emrave si Mala, Albion Marku apo Zhunior?
Mala është një lojtar i vështirë për t’u zëvendësuar edhe për shkak se ishte një futbollist i ingranuar tërësisht me Partizanin, pasi luante prej vitesh dhe ishte protagonist absolut. Ishte i rëndësishëm edhe në fitimin e titullit. Të tjerët mendoj se janë zëvendësuar, megjithëse Albion Marku do të doja të qëndronte.
Mendoni se mjafton Skuka, Cara dhe Cvetanoski për sulmin apo Partizanit i duhet një lëvizje e madhe në sulm?
Për mënyrën se si luan profesor Tani mendoj se këta lojtarë janë të mjaftueshëm. Ndoshta do të duhet ndonjë alternativë, por jo ndonjë lëvizje “big”. Nuk me jep përshtypjen që Partizani i vitit të ardhshëm do të jetë skuadër sulmuese në 90% të ndeshjes. Nuk po them se do të rrijë në mbrojtje, por duke parë edhe mënyrën se si është ndërtuar, më duket një ekip që ruan ekuilibrat. Kjo mendoj se do të jetë filozofia. Them se janë bërë zgjedhje të mira dhe nuk mendoj se ka nevojë për ndonjë revolucion në sulm. Skuka dhe Cara janë të konfirmuar tashmë, ndërsa Cvetanoski duhet parë, por shenjat janë të mira.
Çfarë lloj lojtari i mungon kësaj skuadre të Partizanit?
E mira nuk ka fund asnjëherë, por kam përshtypjen se këtë nuk e përcaktojmë dot tani. Mendoj se ndeshjet e Ligës së Konferencës mund të tregojnë diçka. Aty mendoj se do të merret vesh tamam për çfarë ka nevojë realisht, por edhe se cili nga afrimet është lëvizje e duhur dhe cili nuk e justifikon fanellën e Partizanit.
Saburtalo ka pasur disa largime, nuk merr shpesh pjesë në Europë dhe ka kryesisht lojtarë të rinj. I shihni “demat” me të avantazhuar?
Fakti që ata kanë pasur disa largime dhe nuk kanë shumë alternativa, si dhe që kanë luajtur pak në kompeticionet europiane është një avantazh për Partizanin, por kurrsesi nuk duhet marrë lehtë. Këto ekipe që luajnë rrallë në Europë, pra që u jepet shansi një herë në disa vite, nga entuziazmi mund të bëhen shumë të rrezikshme. Nga ana tjetër edhe Partizani nuk është tërësisht i kolauduar, sepse ka pasur lëvizjet e veta.
Pra, cili nga ekipet ka më shumë shanse të kalojë në turin e dytë?
Nuk kemi shumë informacion për Saburtalon, por duke parë lëvizjet te Partizani dhe një ristrukturim pozitiv të ekipit, mendoj se ka më shumë shanse Partizani.
Si e shihni transferimin e Hotit nga Tirana te Partizani? Do të ketë shumë presion mbi supe lojtari?
Fillimisht këto lëvizje merren me idenë se meqë nuk zuri vend te Tirana, nuk është i denjë për Partizanin, por s’është kështu. Te Tirana ai ndoshta nuk ka gjetur ambientin e vet për të dhënë më të mirën e tij. Nëse e ka gjetur te Partizani do të thotë se thjesht vjet ka gabuar ekipi, nuk mendoj se vihet në pikëpyetje cilësia e Hotit.
Pastaj futbolli edhe në botë është plot me raste të tilla. Roberto Karlos nuk luajti tek Interi, por pastaj e “qanë” kur e panë të shkëlqente te Real Madridi. Në historinë e këtyre lëvizjeve nga Tirana te Partizani apo anasjelltas, unë të garantoj për faktin që lojtarët që kanë ardhur te Partizani kanë qenë më të mirëpritur dhe kanë gjetur ambient shumë më të ngrohtë se lojtarët që kanë ikur nga Partizani te Tirana. Ka shumë lojtarë që mund ta vërtetojnë këtë. Nga ana tjetër presioni mund të jetë një shtysë për Hotin, për t’i treguar Tiranës se sa vlen.
Duke parë lëvizjet e bëra deri më tani dhe shtuar faktin se të dyja e kanë ruajtur grupin, a do të diskutohet titulli më në fund mes Tiranës dhe Partizanit?
Fusha do të tregojë shumë gjëra, por të paktën nga lëvizjet që janë bërë në letër duket sikur do të diskutohet mes këtyre. Gjithsesi, kampionati do të jetë shumë i fortë në vitin e ardhshëm. Vllaznia ka më shumë eksperiencë për të sulmuar titullin dhe do të jetë më e fortë, ndërsa Kukësi pas shumë vitesh luan në shtëpinë e vet. Gjithsesi, uroj shumë që titulli të diskutohet nga Tirana dhe Partizani, sepse kjo do t’i jepte tjetër shije dhe bukuri derbit dhe jo vetëm. Fakti që Tirana dhe Partizani e kanë ruajtur shumicën e grupit që kanë pasur, i avantazhon disi.
Duke parë afrimin e Rexhepit dhe faktin se Hoxha nuk ka rinovuar ende, mund të ketë ardhur fundi i aventurës së kapitenit te “demat”?
Jo, absolutisht. Hoxha do të vijojë të japë më të mirën. Shkëputja më pas vjen në mënyrë natyrale. Nuk mendoj se ka ardhur koha e lamtumirës për Hoxhën, ai do të vijojë të jetë shtylla e Partizanit. Nuk mendoj se Alban Hoxha është në “kilometrat” e fundit dhe klubi do të gabonte nëse do të vendoste ta largonte. Albanin nuk e sposton kollaj, përveç rastit që Rexhepi të tregojë se është më i aftë se ai dhe t’ia marrë portën.
DENIS LALA – Arena e Lajmit

Loading…
Loading…