Prej disa ditësh gazeta “Panorama Sport” ka ngritur shqetësimin për mungesën e transparencës për sa i përket ndarjes së bursave për sportistët nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Bëhet fjalë për bursa, të cilat KOKSH ua mundëson sportistëve nëpërmjet solidaritetit olimpik, që është një mbështetje financiare në kuadër të përgatitjeve për veprimtaritë ndërkombëtare.
Një çështje për të cilën ka reaguar vetë presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli.
Në një prononcim për gazetën, Ylli sqaroi se Komiteti Olimpik nuk ka asgjë për të fshehur për bursat, pasi është një institucion që bën vetëm ndërmjetësimin tek IOC, duke u dërguar ndërkombëtarëve emrat e sportistëve që sjellin federatat.
Megjithatë, presidenti i KOKSH-it e pranoi se ka vonesë në akordimin e bursave, por deklaroi se kjo ka ardhur nga ndërkombëtarët:
“Vonesën e ka Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, kjo edhe për faktin se u bashkuan dy palë lojëra, duke u shtyrë Olimpiada e 2020-ës për në vitin 2021, dhe në 2022-shin erdhën Lojërat e Pekinit shumë shpejt.
Ne kemi të gjithë korrespondencën me email-et me ta, ku ju lutemi që të na dërgojnë bursat dhe përgjigjja e tyre është ‘do t’ua sjellim’.
Siç e thashë, për këtë çështje kam biseduar edhe me presidentin e IOC, Tomas Bah, gjatë vizitës së tij në Tiranë. Vetë Bah i ka komunikuar drejtorit për ta zgjidhur këtë problem.
Emrat e bursistëve i kemi nxjerrë live në asamble.
Unë si president i Komitetit Olimpik kam marrë një angazhim për të qenë transparent, pasi kur nuk ke asgjë për të fshehur dhe mbi të gjitha kur harxhon kohën që është gjëja më e shtrenjtë duke punuar në zyrë nga mëngjesi deri në darkë vullnetar”, shprehet Ylli.
Ndërkohë, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka publikuar në faqen e tij zyrtare emrat e 10 sportistëve që përfitojnë bursa për programin e Lojërave Olimpike “Paris 2024”.
Gjashtë meshkuj dhe katër femra, të cilët pasqyrohen në tabelë bashkë me shumat përkatëse.

ARTIN LLESHAJ – Arena e Lajmit
LEXO EDHE:
Transparenca/ Hije skandali, KOKSH fsheh ndarjen e bursave
EKSKLUZIVE/ Kaosi me bursat e KOKSH, reagon Fidel Ylli: Ja e vërteta…
“Me bursat ka ngërç”, Prizreni: Në Oran shkuam me lekët e federatës
Loading…
Loading…
and then