Çështja e detit, deklarata e kryeministrit grek: Kemi një marrëveshje me Edi Ramën për të shkuar në Hagë, por vetëm pasi të kemi zgjeruar kufirin me 12 milje

454545454

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, gjatë një konference me gazetarët mbajtur ditën e djeshme, ka deklaruar se ka një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama për të shkuar në Hagë lidhur me çështjen e detit, por vetëm pasi sipas tij, të kenë zgjeruar kufirin me 12 milje.

Ai thotë se integrimi i Shqipërisë në  Bashkimin Europian është në fakt në favor të Greqisë, teksa thotë fakti që është dakordësuar që çështja e kufirit të shkojë në gjykatën e Hagës, tregon se edhe këto çështje të mbartura mund të zgjidhen.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për kompleksitetin e kësaj marrëdhënieje, por më duket se edhe si nevojë gjeostrategjike dhe gjeopolitike, të mundemi të zgjidhim problemet e pazgjidhura që kemi nga e kaluara. Dhe dua të referohem konkretisht se edhe për përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike, ka një marrëveshje paraprake që të shkojmë në Hagë, por vetëm pasi ne të kemi zgjeruar kufirin tonë detar me 12 milje. Është diçka e mirë kjo sepse tregon që çështje të tilla, mund të  zgjidhen nga një organ ndërkombëtar perëndimor i drejtësisë, një zhvillim i rëndësishëm, në se do të mund ta arrijmë”, tha Mitsotakis.

Ndërkohë i pyetur nëse do t’i japë dritën jeshilë Shqipërisë për në BE, pavarësisht raportit të mirë që Edi Rama ka me presidentin e Turqisë, Mitsotakis tha: Personalisht kam një lidhje shumë të mirë me kryeministrin shqiptar, dua të jem i sinqertë, dhe është në favorin tonë të diskutojmë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe, paralelisht duke njohur faktin se ekziston një minoritet kombëtar grek, i cili duhet të mbrohet. Dhe kjo është një diçka që e kam bërë të qartë tek kryeministri shqiptar dhe kjo do të përcaktojë edhe qëndrimin tonë gjatë periudhës së negociatave integruese.

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×