Në verën e 30 viteve më parë, kur FIFA i ndal oi portierët të preknin topin me dorë në rast se i jepej nga një shok skuadre, futbolli ndryshoi përgjithmonë. Në kohët e para pas kësaj risie, zgjedhja më e praktikuar e portierëve kur i pasonte një shok ishte spastrimi.

Disa trajnerë, në rregullin e ri gjetën mundësi për revolucione dhe vendosën që ta luanin topin. Ndërkohë, në ditët e sotme, prirja për të mos e dhuruar sferën është ekstremizuar. Nga këtu, po lulëzojnë gabimet. Radu i Interit kundër Bolonjës është shembulli më rrezatues, por nga ana tjetër, nuk duhet mohuar se një portier që luan topin i rrit mundësitë e ekipit të tij për të qenë i rrezikshëm. Pak javë më parë, Luçiano Spaleti e spostoi edhe më tej diskutimin e lojës së gardianëve duke deklaruar:
“Nisja e aksionit me portier është e ardhmja. Një ditë do t’u duhet të luajnë jashtë zonës së rreptësisë. Askush nuk do një portier që nuk di të luajë me këmbë. Për një gol të shënuar nga një gabim portieri, mund të shënosh dhjetë duke e nisur mirë aksionin”.

SUPER-MENJA – Modeli më i mirë i benefitit është Majk Menja. I fortë mes shtyllave, shumë i zoti me këmbë dhe më i miri në Serinë A për sezonin e kaluar. Me statistika në dorë e me përshkrime moderniste, mund të thuhet se Majk Menja ishte portier i përsosur. Lojtarë lëvizës në nisjen e aksionit dhe pikë referimi kur kolegët shkarkonin presionin tek ai.
Për më tepër, fushëpamja e ndihmonte të orientonte lojën e ndonjëherë, si kundër Sampdorias, të jepte asistin për golin e fitores. Për të njohur vlerat e tij sipas rolit, mjaftojnë të dhënat. 17 ndeshje pa u ndëshkuar, 21 gola të pësuar dhe 1076 pasime të sakta. I vetmi në Itali që kapërceu ‘murin’ e 1000 pasimeve.
HOMOLOGË MODERNË – Francezi është model sepse është modern, por nuk i mungojnë kolegët e nivelit. Terraciano i Fiorentiës cilësohet si nga më të mirët me këmbë, por njolla e tij është pikërisht ndaj Milanit kur i dorëzoi Leaos një top të cilin portugezit i ‘ngeci’ pas krahëve. Sidoqoftë, nuk është se ai gabim shkaktoi ardhjen e Golinit të vjollcës duke e vendosur Terracianon si portier të dytë. Spaleti e Konti, por edhe Inzagi, e kanë kthyer Handanoviçin në një pasues të mirë, ndërkohë që në fillimet e tij këmbët nuk u përgjigjeshin cilësive të rolit.

Slloveni, ashtu si Shezni, nuk kanë lindur për të luajtur me këmbë, por janë përshtatur siç e dëshmojnë 79,39 për qind e pasimeve të sakta. Më mirë se “Tek”-u i Juves, ndër ata që kanë luajtur 30 ndeshje, Handanoviç (83,3%) e Ospina të Napolit (81,09%) kanë bërë më mirë. Sepse i Salernitanës ushtroi këmbët tek Empoli në sezonet 2014-’16, ndërkohë që Vikario e rafinoi teknikën pikërisht në sezonin e fundit duke u shndërruar në portierët më interesantë të panoramës futbollistike italiane.
KLASIKËT – Xhovani Gali, ish-portieri i Milanit, kundërshton mendimin e gardianit që nis lojën me ide të qarta ndërtuese. “Portier i mirë është ai që pret. Aq më mirë nëse di të luajë edhe me këmbë”, thotë ai, ndërkohë që i bën jehonë Din Xof që shpesh ka thënë:

“Të thuash se një portier është i mirë sepse luan më këmbë nuk ka sens”. Epo, ja që kanë të drejtë të gjithë. Roli nuk mund të përmbyset duke mësuar portierët të jenë me këmbë po aq të zotët sa edhe me duar. Rregulli i 1992-shit ndryshoi gjithçka, pasi deri në atë kohë, pasimi te portieri ishte një mënyrë për të vonuar lojën. Askush nuk do t’i kthehet asaj epoke, por edhe portierët klasikë po thonë fjalën e tyre.
BERISHA ME SHOKË – Po të luante ende në Serinë A, modeli më i mirë i portierit klasik do të ishte Xhanluixhi Donaruma. Në mungesë të ish-milanistit, nuk mungojnë alternativat. Alesio Kranjo la Kaljarin dhe te Monza do të duhet të konfirmojë “namin” e një portieri shpërthyes. Nga ana tjetër duhet të rregullojë pasimet. Me 360 topa të gjatë të saktë ishte më i miri në sezonin e kaluar, ndërkohë që pasimet e shkurtra ishin vetëm 666. Topi i gjatë është armik i ndërtimit të lojës me portier dhe te Monza do të duhet të rafinohet.
Këtë po mundohet të bëjë edhe Muso tek Atalanta sepse nëse kuadratin e mbron shumë mirë, ka boshllëqe të dukshme kur i kërkohet të kombinojë me shokët. Klasiku më klasik është Meret, por mungesa e vazhdimësisë e ka penalizuar. Teksa Lacio, Leçe dhe Kremoneze nuk i kanë ende portierët e sezonit të ri, Etrit Berishën e pret një tjetër duel për titullaritetin te Torino.
Në fundin e sezonit të kaluar, kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë dhuroi disa ndeshje pozitive, por edhe ai nuk e ka lojën me këmbë në repertorin e tij. Me 33 vite mbi shpinë nuk ka shumë kohë për përmirësime, megjithatë përvoja i ka shtuar qetësinë që e ka bërë të ruajë nivelin në vitet e fundit.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – Arena e Lajmit
Loading…
Loading…
and then