Mançester Siti është duke shitur Rahim Sterlingun te Çelsi këtë verë për të mos e humbur me parametër zero sezonin e ardhshëm.
Por Pep Guardiola mund të ndiejë mungesën e sulmuesit 27-vjeçar në “Etihad” gjatë 2022-’23, sepse Sterling, i cili nuk ka luajtur aq sa ka dashur sezonin e fundit, është kontribuesi më i madh në karrierën e Pep Guardiolës si trajner, pas Lionel Mesit.
Anglezi ka shënuar 120 gola dhe dhuruar 66 asiste që kur katalanasi u ul në stolin e “Etihad” në verën e vitit 2016.
Më mirë sesa Sterling ka bërë vetëm Mesi: 211 gola dhe 80 asiste nën drejtimin e Pepit, i cili ka 15 vite karrierë si trajner.
Sterling mbërriti nga Liverpuli në vitin 2015, një vit më herët sesa trajneri i tij dhe në total ka luajtur 337 ndeshje për “Qytetarët”, duke shënuar 131 gola (94 asiste).
Ai është vetëm një gol larg hyrjes në 10 shënuesit më të mirë të të gjitha kohërave të klubit të Sitit. Sterling fitoi katër nga pesë titujt e fundit të Premier Ligës, ndërsa ka fituar edhe 6 kupa dhe 2 Superkupa Anglie.
Ai po largohet nga “Etihad” vetëm me pengun që nuk fitoi Champions-in, finalen e të cilit e humbi në vitin 2021 përballë skuadrës ku po shkon, Çelsit.
Duke shitur Sterlingun dhe Zhezusin për një shifër në total 100 milionë paund, Siti u thotë lamtumirë dy sulmuesve me shumë eksperiencë në Premier Ligë.
Zhezus firmosi një kontratë 5-vjeçare me Arsenalin (dje debutoi me një dopietë në miqësoren ndaj Nurembergut 5-3 dhe i mjaftuan 90 sekonda në fushë për të gjetur golin), ndërsa Sterling ka arritur akordin për 4 vite me Çelsin, kontratë nga e cila do të përfitojë 315 mijë paund në javë dhe do të bëhet futbollisti më i paguar i klubit.
Por tani është momenti që në skenë të ngjiten Erling Haland dhe Julian Alvarez, të cilët do të prezantohen këtë fundjavë si forca e re sulmuese e kampionëve të Anglisë.
Arena e Lajmit

Loading…
Loading…