Partizani bëri gjithë atë zhurmë për të marrë ish-sulmuesin e Vllaznisë, Viktor da Silva, por në fund klubi e la situatën në rrjedhën e harresës dhe gradualisht erdhi duke hequr dorë.
Me shumë mundësi, transferimi i brazilianit te “demat” është shuar, pasi në kapin e kuq nuk është gjetur dakordësia në bordin e merkatos.
“Panorama Sport” ka mësuar se trajneri Dritan Mehmeti ka dy kërkesa për merkaton, ku Partizanin e shikon të kompletuar me një qendërsulmues (pyka) dhe një qendërmbrojtës, ndërsa postet e tjera i shikon në rregull me organikën që ka.
Sa i përket Da Silvës, ndarja mes drejtuesve ka të bëjë me formën fizike dhe dëmtimet e shpeshta që pëson lojtari.
Stafi teknik e quan të nevojshëm afrimin e brazilianit, pasi në rolin që ai luan, ka alternativa, por më shumë nuk i besojnë fizikut të plogësht.
Edhe samiti i fundit i drejtuesve nuk ka vulosur gjë për brazilianin, për vetë faktin se kjo çështje vjen para ndeshjes së rëndësishme me Saburtalon, ku kërkohet përqendrim total për të arritur kualifikimin.
“Panorama Sport” ka kontaktuar dje vetë lojtarin brazilian, i cili la të kuptohet se është larg “demave” dhe po shqyrton situatën për të gjetur më të mirën për veten e tij.
I pyetur se çfarë po ndodh në lidhje me transferimin e mundshëm te Partizani, si dhe ku qëndron ngërçi, për gazetën, Viktor da Silva u përgjigj:
“Sa i përket Partizanit, për momentin nuk ka të reja. Po kërkoj të kuptoj situatën në të mirë të vetes dhe të zgjedh atë që më bind 100%”.
Mosrakordimi mes drejtuesve të bordit të merkatos, ku braziliani nuk shikohet në shijet e stafit teknik, bën që Da Silva të jetë më shumë larg se afër Partizanit.
Të kuqtë prej më shumë se një muaj e kanë mbajtur “të lidhur” brazilianin, por tani duket se do t’ua bëjnë dhuratë rivalëve, pasi interesi për ish-sulmuesin e Vllaznisë nuk ka munguar.
Meqë samiti i drejtuesve nuk dha vendim të saktësuar, i bie që Viktor da Silva të shkojë drejt një kapitulli të mbyllur te Partizani, pasi parësore për momentin mbete kalimi në turin e dytë të Ligës së Konferencës.
ILIR CARA – Arena e Lajmit

Loading…
Loading…