Hamdi Salihi i fitoi tifozët e Tiranës me një gol në Champions. Kishte pak ditë që ishte transferuar te bardheblutë dhe në ndeshjen e parë në shtëpi, atë të 20 korrikut 2005 kundër sllovenëve të Goricës ai shënoi një gol me peshë duke shmangur kështu edhe kohën shtesë. Sot ai e ka gati një “recetë” për Orges Shehin, një mik i mirë që prej Kombëtares dhe koha kur luanin bashkë te Skënderbeu. “Duhet t’i bëhet presion Dudelanzhit në afërsi të zonës së tij, jo në mesfushë. Vetëm duke i nervozuar dhe duke ushtruar trysni afër portës së tyre, mund ta çajnë kundërshtarin”, thotë ekskluzivisht Salihi për “Panorama Sport”.
Çfarë mbani mend nga ajo ndeshje që përfundoi 3-0?
Ajo ndeshje ka qenë shumë speciale për mua, sepse ishte e para zyrtare me Tiranën në shtëpi. Humbëm në transfertë 2-0 kundër Goricës, por bindja e secilit prej lojtarëve ishte që mund të bënim më mirë dhe se nuk e meritonim të humbnim ashtu. Këtu, kur hymë në fushë hymë me besimin se mundemi të bëjmë diçka. Bëmë gola të shpejtë dhe mbaj mend që ka qenë një ditë shumë e mirë e Islit (Hidit), që na shpëtoi dhe na mbajti në lojë 2-3 herë, sepse kur kërkon këto rezultate duhet dita perfekte e të gjithëve, duke nisur nga portieri e të gjithë me radhë dhe kështu ndodhi. Goli ishte qershia mbi tortë. Që kur shkova në ekip, stërvitja në grup, të gjithë njerëzit, lojtarët, klubi, tifozët më kanë dashur dhe më kanë pritur mirë. Por duhej ajo që të hyja tamam për t’u bërë pjesë e asaj familjeje. Ndodhi dhe ishte gjë e bukur
E keni parë ndeshjen e parë të Tiranës?
E kam parë me shkëputje dhe më pas i jam kthyer disa herë.
Ç’mendim keni, si duhet të sillet skuadra tani?
Kam folur pak edhe me Gesin (Shehin) përpara. Flas përherë me të, me Osmanin. Ideja ishte se opinioni ose njerëzit e tjerë atë ekip e kanë kuptuar gabim.
Pse e kanë kuptuar gabim? Çfarë doni të thoni?
Për mendimin tim si Dudelanzhi, por edhe kombëtarja e Luksemburgut, nuk janë si para 10 vjetëve. Janë rritur shumë dhe nuk është më e lehtë të përballesh me këto lloj ekipesh. Të them të drejtën, mua më pëlqeu mënyra se si Gesi (Shehi) ishte përpjekur të menaxhonte lojën, pra që të mos rrezikonin dhe të shfrytëzonin rastet. Pak a shumë të bënin të njëjtën gjë që kanë bërë edhe në kampionat, për të shfrytëzuar rastet e tyre. Por nganjëherë nuk del ose nuk shkon ashtu si duhet.
Çfarë duhet të bëjnë nesër (sot) kundër Dudelanzhit?
Për ndeshjen e dytë, mendoj se duhet të tentohet për të detyruar ekipin kundërshtar të gabojë pak më shumë, sepse atë ditë po mundoheshin për të mos rrezikuar, por nuk po e vinin kundërshtarin nën presion për të bërë ndonjë gabim, pra nuk bënë ndonjë gjë që Tirana mund të përfitonte. Ndërkohë që kësaj here edhe me mbështetjen e publikut, edhe me entuziazmin dhe nevojën që kanë për të bërë gol, duhet të ngacmojnë pak më shumë e të tentojnë të fitojnë topin afër portës kundërshtare, jo në gjysmëfushë. Të luftojnë gjithë kohës ta fitojnë topin afër zonës kundërshtare. Ata janë një ekip shumë mirë i vendosur dhe nëse ti e luan topin është shumë e vështirë për t’i çarë. Duhet të tentosh t’i “nxehësh” kur janë ata duke e luajtur topin.
Atëherë në sulm ishte Rraklli dhe Salihi. Sot është Seferi, Xhixha dhe Da Silva. Presionin nuk e bën vetëm sulmi, e bën e gjithë skuadra, por a ka mundësi që Tirana ta bëjë këtë që sapo ju thatë?
Duke parë dhe aftësitë e lojtarëve përpara, të tre kanë shpejtësinë. Da Silva pak më pak, por Xhixha e Seferi janë në gjendje shumë të mirë. Kanë mundësi të vrapojnë e ta bëjnë më mirë këtë pjesë duke pasur edhe mbështetjen e ekipit që të dalë më përpara, besoj se kanë për ta bërë. Jam besimplotë se do të arrijnë ta bëjnë.
Mbani mend ndonjë episod nga ajo ndeshje, sepse është përmbysja e fundit e Tiranës në Champions…?
Të them të drejtën ka kaluar shumë kohë, dhe siç e thashë, për mua ka qenë ndeshja e parë zyrtare për Tiranën. Kur janë këto ndeshjet e para sikur mbesin në ajër, sikur nuk memorizon shumë gjëra. E vetmja gjë që mbaj mend është se secili prej nesh që ishim në fushë, kishim besim se do t’ia dilnim. E kishim këtë bindje që përpara ndeshjes. Kjo ka qenë e veçanta dhe më pas kur vjen rezultati, përveçse mbahet mend, e bën një ekip të bëhet më shumë bashkë. I afrojnë lojtarët me njëri-tjetrin, rrisin besimin tek ekipi dhe janë ndeshje që të ndihmojnë shumë edhe për vazhdimësinë e një ekipi.
LEXO EDHE:
EKSKLUZIVE/ “Tirana, detyrim ta përmbysë rezultatin në Champions”, Altin Rraklli: Do të ishte një goditje shumë e madhe për bardheblutë nëse…
JETMIR HALILAJ – Arena e Lajmit

Loading…
Loading…