Vitet kur ishim mësuar të shihnim shuma marramendëse të hedhura në merkato vetëm për sulmuesit, duket se janë harruar. Me zhvillimet e reja në merkato, shuma të tilla, deri dje të pabesueshme, kanë nisur të hidhen edhe për mbrojtësit. Një prej tyre, që pritet të thyejë barrierën e 90 milionë eurove, është mbrojtësi i Juventusit, Matajs de Ligt.
Ai iu bashkua Juventusit verën e vitit 2019 nga Ajaksi, me bardhezinjtë që paguan plot 85.5 milionë euro për të. Deri më tani kjo është shuma e dytë më e lartë e paguar në histori për një mbrojtës. Në krye të listës qëndron Herri Meguajër. Për kapitenin e vet, Mançester Junajtid shpenzoi plot 87 milionë euro për t’ia marrë Lesterit po në vitin 2019.
Duke iu kthyer De Ligtit, pas tri sezonesh te Juventusi, holandezi pritet t’u japë lamtumirën bardhezinjve, për të provuar një eksperiencë të re në Mynih te gjigantët bavarezë, Bajerni. Eksperienca e De Ligtit te Juventusi nuk ka qenë ndër më të mirat. Ajo ka pasur mjaft ulje-ngritje dhe duke parë fërkimet e fundit mes palëve, bardhezinjtë e kanë parë më të udhës t’i gjejnë një sistemim të ri mbrojtësit të tyre. Natyrisht që Juventusi nuk ka ndër mend ta japë “falas” gjigantin holandez.
Përkundrazi, nisur nga kërkesat e bardhezinjve drejtuar blerësve potencialë – Bajerni në krye të listës – rezulton se Matajs de Ligt mund të bëhet mbrojtësi më i shtrenjtë në histori.
Bardhezinjtë kërkojnë plot 90 milionë euro për shërbimet e tij dhe nëse Bajerni do të plotësojë këto kërkesa financiare të bardhezinjve, atëherë De Ligt do të bëhej jo vetëm blerja më e shtrenjtë në historinë e Bajernit, por do të bëhej edhe mbrojtësi më i shtrenjtë në histori. Bajerni në fakt ka një histori me mbrojtësit e shtrenjtë, teksa në merkaton e verës 2019 afronte mbrojtësin e Atletikos, Lukas Hernandez, për shumën e 80 milionë eurove, aktualisht mbrojtësi i katërt më i shtrenjtë në histori.
MBROJTËSIT MË TË SHTRENJTË
LOJTARI TRANSFERIMI MLN EURO
HERRI MEGUAJËR LESTËR-JUNAJTID 87
MATAJS DE LIGT AJAKS-JUVENTUS 85.5
VIRXHIL VAN DAJK SAUTHEMPTON-LIVERPUL 84.6
LUKAS HERNANDEZ ATLETIKO-BAJERN 80
RUBEN DIAZ BENFIKA-MAN.SITI 68
AJMERIK LAPORT BILBAO-MAN.SITI 65
ZHOAO KANSELO JUVENTUS-MAN.SITI 65
ASHRAF HAKIMI INTER-PSG 60
BEN UAJT BRAJTON-ARSENAL 58.6
BENXHAMË MENDI MONAKO-MAN.SITI 57.5
Arena e Lajmit

Loading…
Loading…