Interi ka blinduar sulmin, por tani e gjithë vëmendja është përqendruar në mbrojtje, aty ku të shumta janë dyshimet. Largimet e mundshme të Shkriniarit dhe De Vrajit, ashtu si dhe të Ranokias e Kolarovit që u ka skaduar kontrata, kanë detyruar klubin zikaltër të fokusohet këtë fazë të merkatos te mbrojtësit që janë në qarkullim.
Gleison Bremer është objektivi i parë, por mbërrin apo jo braziliani për të cilin ende nuk është gjetur akordi me Torinon, Interi e di se duhet të afrojë edhe të tjerë lojtarë. Pas Milenkoviçit, Sojunçusë e Akanzhit, zikaltrit e kanë zgjeruar rrezen e kërkimit dhe kanë përfshirë të tjerë mbrojtës në listën e tyre.
I pari është Joshko Gvardiol, 20-vjeçari i Lajpcigut që i pëlqen shumë Marotës, por mosha e tij e re nuk bind për t’i ngarkuar një fanellë titullari gjatë gjithë sezonit, ndërkohë që i njëjti problem ekziston edhe për Benua Badiashil, francezin shtatlartë të Monakos.
Klubet kërkojnë 30 milionë euro për secilin, një shifër kjo që konsiderohet e lartë nga italianët, të cilët nëse do të duhej të shpenzojnë shuma të mëdha, do ta bënin për Pau Torresin, 25- vjeçarin e Vijarealit që është një garanci për prapavijën, ashtu si Lisandro Martinezin që me holandezët e Ajaksit ka tërhequr vëmendjen e të gjithë Europës.
Arena e Lajmit

Loading…
Loading…