Kukësi bën goditjen e tetë në merkaton e verës, pa llogaritur dy rikthimet nga huazimet (Ergys Peposhi dhe Klejdi Daci). I fundit që bashkohet me verilindorët është Rimal Haxhiu.
Në sezonin e kaluar sulmuesi i krahut ishte pjesë e Dinamos, ndërsa me mbylljen e sezonit u rikthye tek Apolonia, klub që ka pronësinë e kartonit të tij.
Prej kohësh verilindorët ishin vënë në gjurmët e 23-vjeçarit, ndërkohë që mundën edhe konkurrencën e disa skuadrave të tjera që kërkonin shërbimet e tij si Tirana dhe Kastrioti.
“Panorama Sport” zbulon se mesfushori do të përfitojë 25 mijë euro në sezon, pa përfshirë këtu bonuset në rast të arritjes së objektivave.
Nga ana tjetër, duke qenë në pronësi të fierakëve, këta të fundit kanë kërkuar të paktën 30 mijë euro për kartonin, po nuk saktësohet nëse verilindorët e kanë paguar këtë shumë apo kanë gjetur akordin për ta marrë në huazim Haxhiun, siç veproi Dinamo.
Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që të ketë opsion për blerjen e kartonit në fund të sezonit.
Sa i përket kontratës, Haxhiu ka firmosur për vetëm një vit me Kukësin, ndryshe nga sa ka ndodhur me të afruarit e tjerë, për të cilët marrëveshjet kanë qenë dy dhe trevjeçare.
Një fakt, ky që nënkupton se Haxhiu mund të ketë ardhur në huazim në kampin verilindor për të paktën një sezon.
Me këtë afrim, Gega shton cilësinë dhe konkurrencën në sulm, sidomos në krahë, aty ku Haxhiu ka rolin e tij natyral dhe pritet të “bezdisë” njërin midis Bashës dhe Berishës.
Haxhiu, përpos Dinamos dhe Apolonisë, ka milituar në elitën e futbollit shqiptar edhe me Luftëtarin.
KLUBI – Afrimin e Rimal Haxhiut e ka konfirmuar dje klubi kuksian në faqen zyrtare në “Facebook”, duke i uruar mirëseardhjen në skuadër.
“Futboll Klub Kukësi njofton se mesfushori Rimal Haxhiu është zyrtarisht futbollist i skuadrës sonë! Futbollisti 23- vjeçar ka firmosur me klubin deri në fund të sezonit, duke u bërë kështu futbollisti më i ri në skuadër.
Haxhiu e njeh mirë kampionatin shqiptar pasi sezonin e fundit ka qenë pjesë e ekipit të Dinamos, teksa ka luajtur edhe Apoloninë në Superiore”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e klubit në rrjetet sociale.
BILANCI – Me afrimin e Haxhiut në skuadër, numri i prurjeve shkon në dhjetë. Lëvizje janë bërë në të gjitha repartet, përjashto portën, aty ku Kukësi konfirmoi Angelo Tafën për tri sezonet e ardhshme.
Mirëpo, nëse i bëjmë një bilanc merkatos në hyrje dhe në dalje, verilindorët janë “mangët” pesë lojtarë deri më tani, pasi kanë larguar plot 15 të tillë.
Nuk pritet që në përfundim të merkatos kuksianët të afrojnë po kaq futbollistë, por një pjesë e grupit do të plotësohet nga lojtarët e akademisë, të cilët këtë sezon pritet të jenë në fokusin e veçantë të Gegës.
Madje, disa prej tyre po kalohen në “sitë” gjatë kësaj periudhe që skuadra po vijon përgatitjet në kryeqytet, ndërsa për fazën përgatitore, e cila është vendosur të zhvillohet në Turqi, do të thirren vetëm ata që shihen si pjesë e projektit.
VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit

Loading…
Loading…