
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një intervistë në TVSH, ka komentuar vendimin e marrë nga prokuroria për ndalimin e mediave për publikimin e të dhënave të dala nga sulmet kibernetike.
Ai u shpreh se veprimi është një kërcënim i prokurorisë ndaj medias dhe shtoi se një vendim i tillë është marrë nën ndikimin e kryeministrit Edi Rama.
Ish kreu i shtetit tha se goditja e sistemit RTIMS ka ardhur nga brenda vendit.
“Prokuroria mori një akt ekstrem dhe ndaloi mediat që të mos publikojnë materialet. Reagim që është bërë nën diktimin e kryeministrit që tregon se kemi një depërtim më të thellë dhe rrëzim të të gjithë sistemit. Bankave i kërkoi të ishin të integruara te ealbania, pra të mos kenë sistemin e vet të pavarur, ja imponoi ndërkohë që ai e dinte që sistemi ishte në hakërrim prej një kohe të gjatë. Bankat nuk e pranuan, por kjo nuk u bë për t’i mbrojtur bankat, dyshoj se sistemi TIMS nuk u godit nga Iranianët, sistemi TIMS nuk mund të goditet nga jashtë, por nga brenda është bashkëpunimi brendshëm dhe të dhënat e asaj dite, kishim një trefishim të fluturimeve drejt Dubait. Për çfarë u bë gjithë kjo?”, ka deklaruar Meta.